MOSKË, 18 gusht /ATSH-DPA/ – Forcat pushtuese ruse të uzinës bërthamore të Zaporizhyaz akuzuan udhëheqjen ukrainase për sulme të rrezikshme përpara një vizite të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.
Guvernatori i emëruar nga Rusia i provincës Zaporizhya, Yevgeny Balitsky i tha televizionit rus të enjten se sulmet ukrainase kërcënonin të dëmtonin sistemin e ftohjes së reaktorëve dhe njësitë e depozitimit të mbetjeve bërthamore.
“Sistemi i ftohjes garanton funksionimin e besueshëm të centralit bërthamor”, tha ai duke paralajmëruar për një katastrofë të tillë si ajo e Çernobilit në 1986.
Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon se Ukraina po planifikon të bombardojë centralin, në mënyrë që të fajësonte Moskën për katastrofën bërthamore.
Akuza nuk mund të verifikohet dhe nuk është ofruar asnjë provë për ta mbështetur atë.
Ndërkohë, Ukraina ka akuzuar Rusinë për përdorimin e uzinës si mburojë për trupat e saj.
Më shumë se 40 vende i kanë bërë thirrje Rusisë që t’ia dorëzojë Ukrainës kontrollin e uzinës bërthamore, por Rusia ka refuzuar duke pohuar se nuk ka vendosur armatim të rëndë në uzinë dhe se po përpiqet vetëm të garantojë sigurinë e saj në mes të luftimeve.
Guterres pritet të takohet sot me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentin turk Recep Tayyip Erdogan./ a.jor.






















