TIRANË, 3 gusht /ATSH-I.Vata/ Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi deklaroi sot se kryeministri Rama, pas ngjarjes tragjike në Himarë, ku u vra nga skafi një 7-vjeçare, duhet të shkarkojë menjëherë ministrat e tij e të mos akuzojë kundërshtarët politikë dhe mediet.
Në një deklaratë për mediet, Vokshi theksoi se vrasja tragjike nga komisari skafist e trafikant i policisë, ka tronditur thellë shqiptarët kudo janë.
“Me këtë rast Partia Demokratike deklaron se tragjedia që i mori jetën vogëlushes Jonada Avdia, dje në plazhin e Himarës, nuk është përgjegjësi vetëm e kryepolicit Arjan Tase. Është një zinxhir i tërë institucionesh shtetërore që kanë përgjegjësi direkte. Institucione, të cilat kanë eprorë e vartës, janë pjesë e vrasjes së kryer dje në bregdetin shqiptar, e që vjen pas dy rasteve të tjera të ditëve të fundit”, tha ajo.
Vokshi theksoi se “ne nuk do të shpërndajmë përgjegjësitë dhe as të luajmë ‘politikën e vdekjes’, por duam e do të ngremë zërin. Ne do të sigurohemi, që ngjarje të tilla të mos përsëriten”.
“Është pandëshkueshmëria. Është heshtja dhe mosreagimi prej ngjarjeve të mëparshme. Është propaganda qeveritare e jo zbatimi i ligjit që çon në përsëritjen tragjike të tyre. Është moszbatimi i akteve nënligjore që vetë qeveria e Edi Ramës ka miratuar”, vijoi Vokshi.
Ajo tha se, “Ministria e Brendshme dhe strukturat policore janë përgjegjësit kryesorë për ngjarjet tragjike në bregdet. Prania e mjeteve lundruese shumë afër bregut, apo ngjitur me plazhet, është papërgjegjshmëri që ka kaluar e vazhdon të kalojë pa vëmendje e pa ndëshkim. Ministria e Mbrojtjes, nëpërmjet Rojës Bregdetare, nuk rezulton të ketë evidentuar qarkullimin e një mjeti lundrues, me fuqi 600 kubikë. Ministria e Infrastrukturës, nëpërmjet Drejtorisë Detare, nuk rezulton të ketë kryer verifikime për madhësinë dhe fuqinë motorike të mjetit, në bazë të të cilave përcaktohet edhe hapësira ujore ku mund të qarkullojë. Ministria e Turizmit nuk rezulton të ketë kryer monitorimet përkatëse për stacionet e plazhit dhe pikat specifike për sportet ujore. Në rast se do të ekzistonte një verifikim i tillë nga strukturat e kësaj Ministrie, pika e “jet skive” dhe motorëve të ujit ngjitur me çadrat në Potam nuk do të lejohej. Bashkia e Himarës me të gjithë strukturat e saj ka dështuar në monitorim të sigurisë së jetës dhe shëndetit të pushuesve, duke lejuar ngritjen e një pikave të pajisjeve motorike në një plazh plot me pushues, ku nuk është përcaktuar ndërtimi i stacioneve të tilla. Administrata Tatimore, gjithashtu, ka dështuar në verifikimin e të ardhurave të krijuara nga stacionet e dhënies me qira të mjeteve lundruese e sportive duke lejuar që ato të mbijnë ku të duan dhe të shtojnë rrezikun”.
Vokshi deklaroi se “ne jemi këtu për t’i thënë Edi Ramës se me qëndrimet e tua vetëm se dëshmon veten ortak të Tases në krimin e tij makabër”.
“Duam t’u bëjmë thirrje gjithashtu gjithë të qytetarëve të indinjuar që ta transferojnë protestën nga rrjetet sociale në shesh. Shoqëria civile ka thirrur një protestë nesër në orën 19:00. Bashkojuni protestës dhe lutjeve për shpirtin e Jonadës”, tha ajo.
/i.s/






















