SIDNEJ, 28 korrik /ATSH-ANSA/ Dhjetëra-mijëra adoleshentë në botë përfshihen në videolojëra deri në nivele patologjike, të cilat në rastet më të avancuara çojnë në refuzim të zgjatur të shkollës, kërcënime për vetëdëmtim dhe agresion ndaj anëtarëve të familjes.
Një studim i ri nga universiteti ”Macquarie” në Sidnej dokumenton sesi të rinjtë vulnerabël, të cilët zhvillojnë gjendjen e quajtur ”Çrregullimi nga lojërat në internet” (IGD), jo vetëm që duhet të përballen me impulset e tyre, por edhe të ndihen të shkëputur nga familjet dhe të pafuqishëm në mjedisin e jashtëm.
Si pjesë e studimit, studiuesit panë rastet e rreth 900 nxënësve në një shkollë të mesme, në një zonë me avantazhe sociale.
Rreth 24 prej tyre plotësonin kriteret e varësisë nga videolojërat në internet, 14 meshkuj dhe nëntë femra.
Sipas Wayne Warburton, profesor i psikologjisë së zhvillimit, i cili drejtoi studimin, gjasat që një adoleshent të vuajë nga probleme klinike me videolojërat rritet me faktorë rreziku, duke përfshirë të qenit mashkull, të ketë vetëbesim të ulët dhe të ndihet i izoluar nga shoqëria.
“Ndjenja se nuk keni shumë kontroll mbi mjedisin tuaj, se nuk jeni të mirë në shumë gjëra, ndjenja se nuk keni një marrëdhënie të mirë me prindërit tuaj janë ndër faktorët e rrezikut”, thotë Warburton.
Adoleshentët që jetojnë të lidhur me videolojërat e bëjnë këtë sepse u jep atyre diçka që u mungon në jetën reale.
Varësia e sjelljes megjithatë mund të trajtohet duke synuar faktorët e rrezikut, të tilla si nxitja e vetëbesimit dhe adresimi i problemeve të marrëdhënieve që çojnë në izolim social.
”Rreziku zvogëlohet kur të rinjtë kanë vetëbesim më të lartë, janë të lidhur më mirë në shoqëri dhe kanë një lidhje më të fortë me prindërit e tyre dhe një mjedis të ngrohtë familjar”, shkruan studiuesi./ /os/






















