MADRID, 26 korrik /ATSH-DPA/- Qeveria spanjolle ka mirëpritur sot marrëveshjen e arritur nga vendet e BE-së për reduktimin e konsumit të gazit në rast të një emergjence energjetike.
“Spanja do të reduktojë konsumin e saj me 7% në rast të një emergjence të tillë”, njoftoi sot ministrja për Tranzicionin Ekologjik, Teresa Ribera pas takimit të posaçëm të ministrave të BE-së përgjegjës për energjinë në Bruksel.
“Kjo do të realizohet në baza thjesht vullnetare”, theksoi ajo.
Së bashku me Portugalinë, Poloninë dhe anëtarët e tjerë të BE-së, Spanja ishte një nga vendet që kishte kundërshtuar fuqishëm propozimin fillestar të Komisionit Evropian.
Sipas këtij propozimi, të gjitha vendet e BE-së pa përjashtim do të detyroheshin të reduktonin konsumin me 15% në rast se shpallej një emergjencë energjetike.
Krahasuar me draftin e parë të komisionit, plani i emergjencës që tani është miratuar parashikon më shumë përjashtime nga masat detyruese.
Pengesat për futjen e objektivave të reduktimit të detyrueshëm të konsumit të gazit në rast të një ndërprerjeje të plotë të furnizimit me gaz rus janë duke u diskutuar gjithashtu.
“Kjo marrëveshje është një mesazh i qartë i unitetit përballë shantazhit të energjisë nga udhëheqësi i Kremlinit Vladimir Putin”, tha Ribera.
Qëllimi i reduktimeve të konsumit është sigurimi i transferimeve emergjente të gazit tek vendet anëtare që mund të përballen me mungesa nëse furnizimet bien në nivele kritike. //a.i/












