Ballina Ekonomi

Rama: Çdo bashki, deri në 2 projekte për të aksesuar fondin e garancisë sovrane

TIRANË, 22 korrik/ATSH – I. Vata/ Kryeministri Edi Rama në takimin me kryetarët e bashkive të qarkut Fier ku ata paraqitën bilancin në prag të mbylljes së mandatit, gjatë një ndërhyrjeje, deklaroi se përveç pikave të grumbullimit duhet të ketë pika përpunimi, sidomos kur bëhet fjalë për bashki që janë qendra të bujqësisë.

Ai iu referua bashkisë Lushnjë që kishte 40 pika grumbullimi. “Kjo është një shifër e kënaqshme. E kemi nisur me një numër qesharak, sot kemi 40 pika grumbullimi, dhe jo vetëm në Lushnjë, por dhe në bashki të tjera. Nuk dëgjova në Fier”, tha ai.

Kryetari i bashkisë Subashi, duke iu përgjigjur interesit të Kryeministrit se sa pika grumbullimi ka në bashkinë e Fierit, tha se në drejtim të produkteve blegtorale janë 20 pika, për produkte bujqësore është një pikë e madhe grumbullimi, e cila mbledh 90 % të produkteve të fermerëve.

Rama tha se Fieri ka gjithë atë prodhim dhe është e domosdoshme që të përpunojmë në vend.

“Sa më shumë të përpunojmë në vend, aq më shumë krijojmë vlerë të shtuar dhe përpunimi në vend nuk është vetëm një çështje që duhet ta lemë në varësi të sipërmarrësve privatë. Erdhi apo nuk erdhi X kompani. Bashkitë duhet të aktivizohen, të kalojnë në një nivel tjetër, në nivelin e etniteteve që krijojnë edhe ndërmarrje fitimprurëse dhe mekanizma fitimprurës që nxisin krijimin e tyre, që sensibilizojnë, edukojnë, ndërveprojnë në mënyrën se siç bëhet me pikat e grumbullimit, të cilat prapë duhen shtuar, të bëjmë me pikat e përpunimit. Gjithë ajo luleshtrydhe që prodhohet në Fier niset siç është. Ndërsa nëse ne krijojmë kushte në Fier dhe të përpunohet, atëherë produktet kalojnë në një vlerë tjetër dhe ata që prodhojnë marrin më shumë. Po i kthehem përsëri asaj që thashë në fillim. I kemi krijuar kushtet që përmes bashkive të stimulojmë këto iniciativa, sepse pikat e grumbullimit janë një rrjet serioz, sepse i nxitëm ne. Duhet t’i ndihmojmë ne për këto modele. Brenda këtij viti çdo bashki duhet të ketë 1-2 projekte për të aksesuar Fondin e Garancisë Sovrane dhe jo vetëm bashkia, por bashkia bashkë me fermerët për t’i përfshirë dhe ata në nisma që rrisin vlerën e produktit të tyre”, tha Rama.

Rama ndërhyri pas fjalës së kryebashkiakëve, duke theksuar se i bëri përshtypje se në të gjitha prezantimet nuk u tha asgjë për çështjen e ndihmës ekonomike.

“Natyrisht që ndihma ekonomike është e stabilizuar nga pikëpamja sistemike, pra nuk është më siç ishte përpara, është objektivizuar deri në njëfarë mase, por ama në kohë kemi mbrapa një objektiv që është edhe në programin e qeverisë, të kalimit nga ndihma në punë dhe të luftës me parazitizmin që krijon sistemi i ndihmës në raste kur keqpërdoret, apo në rastet kur e abuzojnë individë që i kanë krahët, këmbët, veshët, e kanë shëndetin dhe moshën për punë dhe këtë gjë duhet ta bëjmë si forcë politike në nivelin qendror dhe vendor”, tha Rama.

“Në këtë pikë problemi kryesor që has Ministria e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale është mungesa e një vëmendjeje dhe një plani të qartë masash në çdo bashki”, tha Rama. /j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama reagon ndaj News24: Liria e medias pa të drejtë replike, mban erë të keqe
Artikulli tjetërNis edicioni i dytë i “Prishtina Gastronomy Festival”, Veliaj: Politika e mirë nuk i përçan njerëzit