TIRANË, 12 korrik/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë një takimi me kryetarët e degëve theksoi se “ajo që patë në Sri Lanka dhe kjo që po ndodh në Shqipëri, kanë të njëjtat shkaqe”.
Në fjalën e tij, Berisha tha se “ju i keni ndjekur zhvillimet në Sri Lanka. Ju e patë që populli i Sri Lankës përmbysi pushtetin e presidentit. Mediet më serioze të botës kanë krahasuar Shqipërinë me Sri Lankën dhe unë ju them ju se në shumë aspekte ngjajnë si dy pika uji. Sri Lanka para dy vitesh kishte borxhin 91 %, sot e ka 119 %. Shqipëria para 1 viti e kishte 81 %, sot e ka 107 %. Pra, rritja e borxhit në Shqipëri është më e shpejtë se në Sri Lanka, për të përfunduar me 120 apo 130 % në fund të vitit”.
“Në Shqipëri, më shumë se në Sri Lanka, u rritën çmimet dhe rriten vetëm nga vjedhja e qeverisë”, tha Berisha.
Duke u ndalur tek protesta, Berisha tha se “aspekti më i rëndësishëm i të gjitha aspekteve të tjera, të kësaj proteste ishte se për herë të parë prej vitesh, në shesh doli opozita e vërtetë dhe nëse më pyesni çfarë ishte më e rëndësishmja e më e jashtëzakonshmja, ishte opozita e vërtetë në shesh. Përpjekje më antidemokratike, më primitive e të turpshme u bënë që të vendosi në kontroll të paligjshëm opozitën shqiptare, që ta mbajnë në kontroll të paligjshëm, ta mbanin këtë opozitë si vegël të qeverisë, të një njeriu i cili është armik i egër i lirisë dhe votës së shqiptarëve”.
“I them këto që ju duhet të qartësoni çdo demokrat e qytetar se çfarë rreziku ekzistencial për liritë e qytetarëve dhe demokracinë e Shqipërisë, përbën Edi Rama”, tha Berisha.
Berisha u shpreh se “kjo është një betejë për jetë a vdekje e demokracisë shqiptare, e cila de facto sot të vetmen gjë që ka, ka atë arritje të 7 korrikut, opozitën e vërtetë në sheshbetejë. Të gjitha këto kanë ndodhur para syve të shqiptarëve, të botës”.
/k.s/r.e/























