Ballina Aktualitet

Berisha: Protesta, kundër shpopullimit të Shqipërisë

TIRANË 7 korrik /ATSH-I.Vata/ Kryetari i PD-së Sali Berisha deklaroi sot se protestat do të ndalen vetëm atëherë kur realizojnë qëllimin, i pyetur pë protestën e sotme.

Në një prononcim për mediet jashtë sallës së Parlamentit, Berisha u bëri thirrje shqiptarëve të marrin pjesë në protestë.

Ai u shpreh se protesta është kundër shpopullimit të Shqipërisë, kundër manipulimeve të votës dhe sistemeve elektorale, kundër Ballkanit të Hapur.

“Duhet të shpreh mirënjohjen dhe ftesën time për qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, të bashkohemi në orën 7 në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, para ndërtesës së Këshillit të Ministrave, për të shprehur me protestën tonë vendimin e shqiptarëve për shpëtimin e Shqipërisë nga regjimi kleptokratik i Edi Ramës”, tha Berisha.

Berisha u shpreh se gjithnjë protesta ka skenarin e vet.

“E rëndësishme është që ne të japim mesazhin tonë të fuqishëm se shqiptarët nuk do ta tolerojnë më këtë regjim, i cili s’meriton të ekzistojë absolutisht as edhe një ditë të vetme. Kjo është protesta që inauguron procesin e largimit të Edi Ramës nga pushteti. Ç’ka do të thotë se protestat ndalen vetëm atëherë kur realizojnë qëllimin madhor”, tha Berisha. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAlibeaj: Rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë, detyrim
Artikulli tjetërTabaku: Rezoluta për Srebrenicën duhej të ishte miratuar kohë më parë