LONDËR, 6 korrik /ATSH-AA/- Qeveria britanike hodhi poshtë kërkesën për të lejuar një referendum të dytë të pavarësisë në Skoci, në kohën kur kryeministri Boris Johnson po lufton për postin e tij pas një sërë dorëheqjesh nga qeveria.
“Kam shqyrtuar me kujdes argumentet që keni paraqitur për një transferim të pushtetit nga Parlamenti i Britanisë së Madhe në Parlamentin Skocez për të mbajtur një referendum tjetër për pavarësinë”, tha Johnson në një letër drejtuar ministres së parë skoceze, Nicola Sturgeon.
“Teksa vendi ynë po përballet me sfida të pashembullta brenda dhe jashtë vendit, nuk mund të pranojmë që tani është koha për t’u kthyer te një pyetje, së cilës iu përgjigj qartë populli i Skocisë në vitin 2014”, theksoi Johnson.
Duke shpërndarë letrën në Twitter, Sturgeon shkroi: “Sapo e mora këtë nga Johnson (një nga veprimet e tij të fundit si kryeministër?)”, duke vënë në dyshim të ardhmen e afërt politike të kryeministrit britanik pas dhjetëra dorëheqjeve nga qeveria e tij konservatore që nga dje.
“Për të qenë e qartë, Skocia do të ketë mundësinë të zgjedhë pavarësinë. Shpresoj në arritjen e një referendumi më 19 tetor 2023, por, nëse jo, përmes zgjedhjeve të përgjithshme. Demokracia skoceze nuk do të jetë peng i këtij apo ndonjë kryeministri tjetër”, tha Sturgeon.
Njoftimi i ministres skoceze Sturgeon erdhi pasi qeveria skoceze publikoi një projektligj të ri për votimin e dytë.
“Qëllimi i referendumit është të konstatojë pikëpamjet e popullit skocez, nëse Skocia duhet të jetë një vend i pavarur apo jo”, tha Sturgeon.
Ajo tha gjithashtu se referendumi duhet të jetë i ligjshëm dhe se qeveria skoceze do të informojë se çfarë do të bëjë nëse qeveria në Londër bllokon një votim të tillë.
Referendumi i parë ku skocezët u prononcuan nëse duan të ndahen nga Britania e Madhe ishte vetëm dy vjet para votimit historik për Brexit.//a.i/























