ANKARA, 5 korrik /ATSH-DPA/- Kufiri i migrantëve për të hyrë në Itali është arritur, deklaroi sot kreu i qeverisë, Mario Draghi.
“Ne tashme e kemi arritur kufirin”, tha 74-vjeçari gjatë vizitës së tij në Ankara. Ai shtoi se duhet kuptuar gjithashtu se një vend nuk mund të jetë i hapur pafundësisht.
Ish-kreu i Bankës Qendrore Evropiane (BQE) theksoi se trajtimi i migrantëve duhet të jetë njerëzor, i përshtatshëm dhe efektiv. “Italia po përpiqej të shpëtonte migrantët në ujërat e saj”, tha ai.
Sipas Ministrisë së Brendshme italiane, gati 29 400 migrantë me varka arritën në brigjet e Italisë këtë vit që nga e marta. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i tyre arriti mbi 21 700. Shifrat janë rritur ndjeshëm që nga pranvera.
Turqia ra dakord në një marrëveshje të vitit 2016 me BE-në për të goditur migrimin e paautorizuar në BE dhe për të rikthyer migrantët që mbërrinin ilegalisht në ishujt e Egjeut.
Në Turqi, disponimi ndaj rreth 3.7 milionë refugjatëve sirianë është përkeqësuar kohët e fundit. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, kishte njoftuar se dëshiron të rivendosë 1 milion sirianë në veri të Sirisë.
Draghi udhëtoi sot në Turqi së bashku me një delegacion prej disa ministrash për të nënshkruar marrëveshje të ndryshme për mbrojtjen dhe tregtinë. Ky ishte takimi i tretë i tillë që nga viti 2012. “Turqia është një mik dhe partner i Italisë”, deklaroi Draghi. //a.i/












