Ballina Bota

GJERMANI – Steinmeier: Lufta e Putinit kundër Ukrainës, një krim vrastar

NUREMBERG, 5 korrik /ATSH-DPA/- Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier e ka quajtur luftën e Rusisë kundër Ukrainës një krim vrastar.

Duke folur sot në një drekë me trupin diplomatik në qytetin bavarez të Nurembergut, Steinmeier tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të kundërshtojë këtë luftënxitëse perandorake.

“Ne duhet të mbajmë qëndrim. Ne u detyrohemi shumë njerëzve të guximshëm në Ukrainë që po rezistojnë ditë pas dite”, tha ai.

Presidenti ftoi rreth 150 ambasadorët e dërguar në Gjermani dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në një takim informues në rajonin bavarez të Franconisë, ku ndodhet Nuremberg.

Ambasadori ukrainas në Gjermani, Andriy Melnyk, i cili aktualisht është nën presion masiv dhe duhet të mbrohet nga akuzat për banalizimin e Holokaustit, nuk ishte në mesin e të ftuarve.

“Lufta në Ukrainë po sjell vuajtje të tmerrshme për miliona njerëz”, tha Steinmeier.

“Lufta e Rusisë kundër Ukrainës është një krim vrastar, për të cilin është përgjegjës vetëm presidenti rus Vladimir Putin”, tha ai

“Pas rritjes aktuale të çmimeve për energjinë dhe mallrat e tjera, vitin e ardhshëm mund të ketë mungesa reale. Shtetet më të pasura kishin për detyrë të ndihmonin më të varfrit”, tha ai.

“Gjermania qëndron me vendosmëri në krah të Ukrainës”, siguroi ai.

“Kjo do të thotë para së gjithash ne mbështesim Ukrainën politikisht dhe ushtarakisht. Tani Ukraina është një vend kandidat për anëtarësim në BE, dhe ky është më shumë se një akt simbolik”, tha Steinmeier.

“Sulmi i Rusisë ndaj një shteti me kufij të njohur ndërkombëtarisht është gjithashtu një sulm ndaj rendit botëror të bazuar në rregulla”, tha ai.

“Një botë ku shkelja e ligjit, pushtimi dhe brutaliteti bëhen normë është një botë e keqe për të gjithë ne. Ne nuk duhet ta pranojmë këtë!” tha Steinmeier. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakANKARA – Draghi: Italia e ka arritur kufirin e migracionit
Artikulli tjetërKIEV – Ukraina paraqet kërkesën për t’u anëtarësuar në OECD