LONDËR, 29 qershor /ATSH-DPA/ – Kryeministri britanik, Boris Johnson deklaroi se presidenti rus Vladimir Putin nuk do të kishte nisur luftën shoviniste, të çmendur dhe maskiliste në Ukrainë nëse do të kishte qenë grua.
Kryeministri tha gjithashtu se ndërsa liderët e G7 duan dëshpërimisht që lufta në Ukrainë të përfundojë, nuk kanë asnjë marrëveshje në dispozicion.
“Nëse Putini do të ishte një grua, e cila sigurisht që nuk është, por nëse do të ishte, unë me të vërtetë nuk mendoj se ai do të kishte nisur një luftë të çmendur të pushtimit dhe dhunës në mënyrën që ai po zbaton”, deklaroi Johnson.
“Nëse doni një shembull të përsosur të maskilitetit toksik, kjo është ajo që ai po bën në Ukrainë. Duhen më shumë gra në pozitat e pushtetit”, shtoi ai.
”Sigurisht, të gjithë njerëzit duan që lufta të përfundojë, por nuk ka marrëveshje në dispozicion”, shtoi ai./ /os/























