Ballina Flash

OSBE mbështet BKH-në për fuqizimin e kapaciteteve hetimore

TIRANË, 21 qershor /ATSH/ Prezenca e OSBE-së në Shqipëri vazhdon të mbështesë Byronë Kombëtare të Hetimit për fuqizimin e kapaciteteve të saj hetimore.

Prezenca e OSBE-së përmbylli sot një program trajnimi treditor për 16 hetues të sapopërzgjedhur të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), të cilët e kanë kaluar me sukses procesin e Vetingut.

Programi i trajnimeve kishte për synim forcimin e kapaciteteve të përgjithshme të BKH-së së porsathemeluar për të kryer hetime penale kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe grupeve të kriminalitetit të organizuar transnacional.

Trajnimi u përqendrua në tema të tilla, sikurse teknikat speciale për hetimin e grupeve të krimit të organizuar, lufta kundër korrupsionit, përvojat më të mira rajonale në hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe përpunimi i ligjshëm i të dhënave personale.

Modulet e trajnimit u zhvilluan në bashkëpunim me Ambasadën austriake në Shqipëri, Policinë Federale Kriminale austriake dhe Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Kjo veprimtari u zhvillua në kuadër të mbështetjes së përbashkët, me përfshirjen e disa prej departamenteve të saj, që Prezenca e OSBE-së ofron në përkrahje të agjencive ligjzbatuese shqiptare për të luftuar krimet e rënda dhe krimin e organizuar dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal.

Në përputhje me mandatin e saj në ndihmë të agjencive ligjzbatuese shqiptare për ngritjen e kapaciteteve, përmirësimin e profesionalizmit dhe mbështetjen e zhvillimit dhe reformave në polici, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të vazhdojë të mbështesë ngritjen dhe funksionimin efikas të BKH-së në bashkëpunim me Programin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ICITAP dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTrajnohen nëntë përkthyes të rinj të gjuhës frënge
Artikulli tjetërKosovë, 13 raste të reja me COVID-19