TIRANË, 20 qershor/ATSH/ Policia e Shkodrës finalizoi operacionin policor antikanabis të koduar “Vallas”, në kuadër të së cilit u arrestuan 6 shtetas dhe u shpallën në kërkim 8 të tjerë, bashkëpunëtorë në veprimtaritë kriminale të kultivimit, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.
Në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan në banesën e njërit prej të arrestuarve, 246 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis.
Gjithashtu u konstatuan dhe u asgjësuan me anë të djegies, nga ana e shërbimeve të Policisë, bimë të dyshuara narkotike kanabis, të kultivuara në afërsi të kësaj banese, në fshatin Vallas, Shkodër, si dhe bimë të dyshuara narkotike kanabis, në proces tharjeje.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan ne flagrancë shtetasit: A. T., 28 vjeç, banues në fshatin Oblikë, Shkodër; B. R., 26 vjeç, banues në fshatin Oblikë, Shkodër; H. M., 51 vjeç, banues në Vallas, Shkodër; L. Ç., 34 vjeçe, banuese në Milot, Lezhë; A. U. 48 vjeç, banues në Velinaj, Shkodër, si dhe D. H. 42 vjeçe, banuese në Tiranë. Kjo shtetase u arrestua brenda disa orësh nga organizimi i operacionit policor “Vallas”, si rezultat i bashkëpunimit të mirëkoordinuar me strukturat e DVP Tiranë.
Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit:
A. S., 34 vjeç banues në Bajzë, Malësi e Madhe;
P., 38 vjeç, banues në Shirokë, Shkodër; S. B., 35 vjeç, banues në lagjen “Ahmet Haxhija”, Shkodër; B. L., 21 vjeç banues në Alimetaj, Shkodër; E. S. 20 vjeç banues në Shirokë, Shkodër, si dhe I. D., 26 vjeç, banues në Vallas, Shkodër; S. D., 34 vjeç, banues në Vallas, Shkodër; A. D., 29 vjeç, banues në Vallas, Shkodër (të afërm të njëri-tjetrit).
Nga veprimet hetimore të drejtuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kryenin në fshatin Vallas, Shkodër, veprimtarinë e kundërligjshme të kultivimit të bimëve narkotike.
Si rezultat i kontrollit në banesën e shtetasit të arrestuar A. T., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 246 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, një automjet dhe 11 aparatë celularë, të cilat dyshohet se përdoreshin nga autorët për zhvillimin e kësaj veprimtarie kriminale.
Gjithashtu, në vijim të kontrollit të imtësishëm të çdo pjese të territorit, në fshatin Vallas, Shkodër, u konstatuan dhe u asgjësuan me anë të djegies, nga ana e shërbimeve të Policisë, bimë të dyshuara narkotike kanabis, të kultivuara në afërsi të banesës së shtetasit të arrestuar A. T.
Vijon puna intensive nga ana e strukturave të Policisë, me qëllim arrestimin e shtetasve të shpallur në kërkim për këtë veprimtari kriminale.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, të kryera në bashkëpunim.
/j.p/r.e/












