TIRANË, 15 qershor /ATSH-I.Vata/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar sot në lidhje me rritjen e çmimit të karburantit.
Në një videomesazh të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku shprehet se sot ekonomia shqiptare është duke përjetuar një krizë të jashtëzakonshme konsumi, e cila vjen si rezultat i korrupsionit dhe i arrogancës qeveritare.
Ajo shprehet se, rritja e çmimeve në zinxhir ka ardhur si rezultat i rritjes së çmimit të energjisë elektrike, por ajo që është më e rëndësishme e karburantit.
“Vendimet abuzive të Bordit të Transparencës kanë krijuar këtë situatë në ekonomi. A nuk mendoni ju se më mirë do ishte të ulej taksa e qarkullimit në 4 lekë për litër, në vend të 27 lekë për litër? A nuk mendoni ju se do ishte më mirë që 5 kompanitë e naftës mos të uleshin me qeveritarët për të marrë vendimet? A nuk mendoni që do të ishte më mirë që sot fermerët, bizneset, familjet në nevojë të kishin një çmim më të ulët karburanti? Unë mendoj se përgjigjja është e thjeshtë. Përgjigjja qëndron në korrupsionin dhe arrogancën dhe paaftësinë e qeverisë për të dalë nga kjo krizë dhe për të ndihmuar shqiptarët”, tha ajo.
Sipas Tabakut, shqiptarët paguajnë karburantin më të shtrenjtë në rajon.
“Bordi i oligarkisë i karburantit dhe korrupsionit! Shqiptarët sot paguajnë karburantin më të shtrenjtë në rajon. Pse? Pasi kur hedhim karburant në makinën tonë 60 % e çmimit për litër janë taksa. Pasi Bordi i Transparencës është në fakt ‘bordi i oligarkisë’, që vendos çmime abuzive në kurriz të qytetarëve. Imagjinoni sikur në këtë kohë krize të ulej taksa e qarkullimit për makinat, sikur tregu dhe jo bordet e oligarkisë të vendosnin çmimet. Do të kishim karburant më të lirë! Çmime produktesh më të ulëta dhe qytetarë që do të kishin më shumë për të shpenzuar”, shprehet ajo.
/r.e/






















