ROMË, 10 qershor /ATSH/ – Dy turistë amerikanë janë gjobitur dhe janë ndaluar të vizitojnë Romën, pasi kanë dëmtuar Shkallët e famshme Spanjolle (Spanish Steps) të kryeqytetit me skuter elektrikë, sipas CNN.
Incidenti, i cili u kap nga kamerat e sigurisë, vjen një muaj pas arrestimit të një shtetasi saudit, i cili u ndalua pasi dyshohej se ngiste një makinë sportive “Maserati” të marrë me qira në qendrën historike të shekullit XVIII duke shkaktuar gjithashtu dëme.
Policia raportoi se turistët, të moshës 28 dhe 29 vjeç, u ndaluan nga një patrullë rreth orës 02:45, më 3 qershor, pasi një skuter ishte hedhur poshtë shkallëve, që njihen ndryshe si Trinità dei Monti.
“Një çift turistësh amerikanë lëshuan një skuter tre herë, poshtë shkallëve të Trinità dei Monti, duke dëmtuar shkallën”, tha Zyra e Trashëgimisë Kulturore.
Policia tha se incidenti kishte të bënte me thyerjen e një copë mermeri, rreth 10 centimetra, ndërsa vlerësoi se kostoja e restaurimit ishte 25 000 euro (27 000 dollarë).
Të dy u gjobitën me 400 euro secili, në përputhje me dispozitat e Rregullores së Policisë./ /a.i/












