Ballina Aktualitet

Rama: Grup i përbashkët mes vendeve të “Ballkanit të Hapur” për krizën e çmimeve

TIRANË, 8 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, do të ngrihet një grup i përbashkët mes vendeve të “Ballkanit të Hapur” për krizën që vjen nga lufta në Ukrainë.

Në një prononcim për mediet pas punimeve të samitit të Ohrit, Rama tha se, “në këtë samit vetë pjesëmarrja është shumë më e madhe, interesimi është shumë më i madh, mbështetja shumë më bindëse”.

“Ndërkohë që ne jemi këtu edhe për të finalizuar disa hapa të tjerë të rëndësishëm që do të hedhim në vijim në aspektin e sigurisë ushqimore. Do të kemi një sesion të posaçëm në Beograd, i cili do të shoqërohet dhe me një panair të madh të ushqimit dhe verërave të “Ballkanit të Hapur”. Më pas në aspektin e sigurisë energjetike do të kemi një sesion të veçantë në Shqipëri, sepse Shqipëria tanimë është pika e referimit në rajon për të ardhmen energjetike, jo vetëm të vetvetes, por edhe të rajonit, dhe ka shumë gjëra të reja që në mënyrë të përditshme zhvillohen. Së shpejti kemi një tjetër firmosje të rëndësishme më një tjetër gjigant të furnizimit energjetik. Një sesion të veçantë në Maqedoninë e Veriut për konektivitetin, për të gjitha rrjetet e projekteve të transportit. Dhe një sesion të veçantë për turizmin dhe mjedisin në Malin e Zi. Nga ana tjetër kemi rënë dakord të ngremë një grup të përbashkët për krizën tërësore që vjen si pasojë e luftës dhe zgjidhjet e përbashkëta. Në mënyrë që të arrijmë të ndihmojmë njëri-tjetrin, të mbështesim njëri-jetrin aq sa është e mundur, për të ulur barrën e peshës që ka mbi çdo vend që ka kjo krizë”.

“E kam thënë që në fillim, kur të gjithë bënin humor, apo përqeshnin dhe nënqeshnin që çfarë krize energjetike flet ky, s’ka krizë, që do të vijë momenti që nuk do jetë më problemi sa u rrit çmimi, po ku do e gjejmë energjinë. Dhe ndërkohë Shqipëria është i vetmi vend ku çmimi nuk është prekur asnjë cantim dhe ku vazhdojmë ne në mënyrë të përmuajshme të subvencionojmë çmimin e të gjitha familjeve dhe e të gjithë biznesit të vogël. Dhe duhet të ketë një arsye pse me të gjithë kumtet e kukuvajkave që këtu do bëhej nami, që bujqësia do falimentonte, bujqësia sot është sektori që po rritet në aspektin e prodhimit dhe në aspektin e eksportit, përtej parashikimeve. Për këtë ka një arsye dhe kushdo që do ta dijë nuk e ka të vështirë ta mësojë, mjafton të heqë nga sytë peshqirin e shpirtit të mohimit”, tha Rama.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Vendi për Kosovën në tryezën e “Ballkanit të Hapur” është aty
Artikulli tjetër“Ballkani i Hapur”, Kushi: Njohje e diplomave dhe gradave shkencore