TIRANË, 9 maj/ATSH/ Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi i kërkoi sot opozitës të mos bëjë politike dhe të mos abuzojë me viktimat duke bërë prokurorin, gjyqtarin apo policin, pasi sipas tij, kjo është një retorikë e vjetër dhe nuk i shërben Shqipërisë.
Duke sqaruar rastin e vetëvrasjes së Ilvi Metës në Komisariatin e Kavajës, ministri Çuçi tha se hetimit për ngjarjen i është shkuar deri në fund së bashku me Agjencinë përkatëse për Mbikëqyrjen Policore për të nxjerrë përgjegjësitë që ka pasur trupa e Policisë së Shtetit.
“Nuk ka asnjë aludim apo rrethanë periferike që të hedhë dyshime për ngjarjen, as nga prokurorët, as nga hetuesit, as nga mjekët ligjorë, madje për rastësi kanë qenë edhe dy përfaqësues të Avokatit të Popullit, pasi kanë qenë për inspektim të dhomave të ndalimit në Komisariat dhe kanë dalë në konkluzionin se ato dhoma janë në përputhje me standardet ligjore”, tha ministri.
Çuçi iu bëri thirrje deputetëve të opozitës të largohen nga kjo mënyrë e të bërit politikë, sepse siç theksoi ai, “ky diskurs politik nuk i shërben Shqipërisë“.
Ai njëkohësisht ftoi deputetët të bëjnë hetim parlamentar lidhur me ngjarjen.
“Akuzoni shumë rëndë struktura të policisë së Kavajës sikur janë kriminale”, u shpreh Çuçi.
Sipas Çuçit, dosja është e plotë, janë të filmuara të gjitha sekuencat dhe është ndaluar për shkak të vendimit të Gjykatës me urdhër të prokurorit.
/j.p/r.e/






















