TIRANË, 4 maj /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca dhe ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, Adrian Maitre, nënshkruan sot në Tiranë marrëveshjen e bashkëpunimit për rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërinë e kompanive shqiptare që operojnë në sektorin e bimëve mjekësore, frutave dhe perimeve.
Marrëveshja aktivizon fondin prej 1.84 milionë euro, në ndihmë teknike, të financuar nga sekretariati i shtetit zviceran për çështje ekonomike, SECO, për rritjen e kapaciteteve të cilësisë dhe standardeve për zinxhirin e vlerës.
Krifca e cilësoi marrëveshjen një hap të rëndësishëm, që ka si objektiv forcimin e cilësisë dhe respektimin e standardeve në kuadër të Programit Global të Cilësisë dhe Standardeve (GQSP), për dy ndër produktet bujqësore me të rëndësishme (bimët mjekësore, fruta- perimet) në eksportet shqiptare.
Gjatë fjalës së saj, ministrja falenderoi qeverinë zvicerane për mbështetjen e dhënë ndaj këtij projekti, si dhe shumë të tjerë projekte që kanë kontribuar ndër vite në zhvillimin e bujqësisë në Shqipëri.
“Marrëveshja që firmosim sot, ka në fokus standardizimin dhe rritjen e kapaciteteve të cilësisë në të gjithë zinxhirët e vlerës për dy nga produktet e rëndësishme të eksportit të vendit tonë që gjenerojnë të ardhura për familjen fermere dhe punësim për ekonominë, ato të bimëve mjekësore dhe aromatike, si dhe perimeve”, u shpreh Krifca, teksa vuri në dukje se, ndan me ambasadorin Maitre qasjen për një partneritet të gjerë në rritjen e qëndrueshme të eksporteve bujqësore, përmes investimit në ruajtjen e cilësisë dhe respektimin e standardeve.
Projekti adreson përballjen e sfidave në këto dy sektorë, për sa i takon përdorimit të pesticideve në kultivim dhe kontaminimin me bakteret, në mënyrë që të rregullohet më mirë përdorimi i tyre, gjithashtu eliminimin e rrezikut të futjes në tregje të sofistikuara prej keqpërdorimit dhe përmirësimit të cilësisë në të gjithë zinxhirin prodhues e përpunues.
Krifca tha se, “nuk mund të kishim partner më të mirë se Zvicra dhe UNIDO për t’u mbështetur në objektivin tonë për cilësinë dhe respektimin e standardeve më të larta, si pararendës të çdo përpjekje për rritjen e qëndrueshme të prodhimit dhe eksporteve të produkteve tona bujqësore”.
/r.e/














