Ballina Aktualitet

BE: Ligji për Teatrin nuk shkel MSA

TIRANË, 10 shtator /ATSH/ – Komisioni Europian i ka dhënë fund ngërçit për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, duke i hequr çdo alibi opozitës për ta kundërshtuar projektin.

Shefja e Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Europiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Michela Matuella, i ka dërguar një letër qeverisë në të cilën sqarohet se ligji i depozituar në Parlament nuk shkel Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Në letër shkruhet se, “Komisioni Europian nuk ka asnjë kompetencë për të vlerësuar përputhshmërinë e Ligjit Special me kuadrin ligjor aktual të Shqipërisë”, por nga ana tjetër, ajo shprehet se nuk ka asnjë shkelje të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, përkundër asaj çfarë ka deklaruar deri më sot opozita shqiptare.

“Artikulli 74 (3) i MSA-së i referohet dhënies së aksesit të barabartë kompanive private që duan të lidhin kontrata, duke u bazuar në Ligjin Shqiptar mbi Prokurimet Publike dhe jo mbi acquis-të e Bashkimit Europian. Ndonëse, në këtë pikë nuk vërejmë asnjë shkelje të MSA-së, Komisioni Europian mirëpret vullnetin e autoriteteve shqiptare për ta amenduar Ligjin Special, me qëllim hapjen e garës për projektin e Teatrit Kombëtar, në mënyrë që çdo kompani private të mund të aplikojë një propozim për projektin”, thuhet të letrën e Komisionit Europian.

Ishte vetë Kryebashkiaku Veliaj i cili bëri me dije dy ditë më parë se është arritur një dakordësi me Komisionin Europian për një amendim të thjeshtë në ligj, me synim rritjen e transparencës. Tashmë ligji për Teatrin e Ri Kombëtar do të amendohet në Parlament, për të ftuar edhe kompani të tjera në garë.

/gj.m/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakEkspozita në GKA, takim informal i tre ministrave të Kulturës
Artikulli tjetër“Letërsia lëvizëse”, për herë të parë në tre qytete të Kosovës