Ballina Aktualitet

Rama: PD, procese qesharake për zgjedhjen e presidentit

TIRANË, 21 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, proceset e organizuara nga PD për zgjedhjen e Presidentit të Republikës kanë qenë qesharake.

Në fjalën e tij në Kuvend, Rama fillimisht replikoi me deputeten demokrate Jorida Tabaku për ujin e pijshëm në Tiranë.

“Meqë zonja Tabaku foli për ujin e Tiranës që askush nuk e pi nga çezma, sepse mund të helmohet, meqë si dëshmitar i zonjës Tabaku e ndjej për detyrë, sot me t’u kthyer në shtëpi do të pi ujë nga çezma. Dhe jam i gatshëm nëse zonja Tabaku do të më presë në shtëpinë e saj të shkoj edhe aty të pi një gotë ujë nga çezma. Dhe natyrisht do ta bëj video dhe do ta hedh, jo në Twitter, do ta hedh në TikTok”.

Duke folur për zgjedhjen e presidentit të Republikës, Rama u shpreh se, “kur Saliu ishte gjallë më kujtohet që u zhvillua këtu në Kuvend një proces, në fakt dy, po unë këtu kam parasysh të parin, procesi që në fund çoi në zgjedhjen e njëanshme të Bamir Topit. Dhe duke dëgjuar se çfarë thoni ju, që kur ishit atëherë i keni bërë gjërat shumë mirë, por ky popull nuk ju kuptoi dhe prandaj ju nxori me shkelma nga zyrat dhe as nuk e konsideron më prej kohësh që t’ju fusë prapë në zyrat e shtetit, unë desha ta risjell këtu atë histori. Sepse ka qenë një ngjarje ku vlen plotësisht ajo shprehja, ‘jeta imiton artin'”.

“Kemi qenë aty si drejtues të partive politike parlamentare dhe realisht të paktën mesa mua më lejon kultura ime e kufizuar, asnjë shfaqje teatri absurd nuk do të mund të linte mbrapa, atë shfaqje që ne i dhamë njëri-tjetrit, duke marrë nëpër gojë njerëz, duke kërkuar presidentin përmes një shkëmbimi emrash që hidheshin e priteshin në tryezë dhe për të mos bërë emra, e për të mos u zgjatur, se erdhi një tjetër që ka qenë prezent, Fatmir Mediu, dhe mund të ma konfirmojë këtë që po them. Arriti puna që një kandidat për president e kërkuam në Golem. I doli emri atje dhe dikush tha, ‘po ai ka ikur në Greqi’. Pastaj u mor në telefon Fatos Beja, i cili e njihte këtë kandidatin. Dhe Fatos Beja tha ‘po, në Greqi është po ka dhe një shtëpi në Golem’. Dhe u nis një makinë në Golem për të gjetur presidentin dhe për t’i thënë nëse ishte i gatshëm që ta merrte detyrën. Nuk po ia sjell emrin këtu. Dhe kur ai nuk u gjet në Golem, ndjesë pastë Saliu tha, ‘e tha po Fatosi tha na çorienton, sepse është vetë një kandidat latent'”, tha Rama.

“Ky ka qenë një nga shumë episodet e asaj shfaqjeje, që kulmoi me propozimin e Nard Ndokës për të bërë Ismail Kadarenë president. Dhe iu ngarkua Nard Ndokës të komunikojë me Ismail Kadarenë, por Ismaili nuk i hapi telefonin”, theksoi Rama.

“Dhe në fund fare e gjithë shfaqja u prish pasi doli një president konsensual, që nuk e njihte asnjëri në fakt. E njihte Fatmiri si ish-ministër, a ministër i Mbrojtjes atëherë, s’më kujtohet. Një ushtarak. U ra dakord për ushtarakun dhe u ra dakord që të riktheheshim në sallën e shfaqjes pasi të shkonim të komunikonim me partitë përkatëse. Dhe pas komunikimit me partitë përkatëse, kishe rënë dhe ushtaraku rrugës, sepse i gjori Sali, se për i gjorë është bërë, se nuk është gjallë, e kuptoni vetë, kërkoi kokën e Dhori Sollakut. Dhe e kërkoi kështu siç po ju them: ‘Dua kokën e Dhori Sollakut, pastaj mund të vazhdojmë diskutimet’. Sigurisht që ne nuk kishim një kokë për t’ia dhënë dhe këtu mbaroi”, u shpreh Rama.

Pastaj, shtoi Kryeministri, “u zhvillua një tjetër raund më pas, kur doli toger Bujar Nishani si president. Aty ishte më e thjeshtë, sepse PD i kishte votat. Toger Bujar Nishani doli thjesht nga ai proces dhe ju e dini si pasojë e një aksidenti rrugor. Se erdhi një president tjetër deri këtu dhe pastaj doli nga këtu dhe nuk ishte më president, se i kishte dalë një hije në radiografi. Procese qesharake”.

“Procesi më normal, por që prodhoi dhe presidentin më anormal, ishte procesi që u zhvillua kur ju mungonit këtu, sepse ishin në atë periudhën e revolucionit permanent. Dhe ne menduam edhe për ju, me thënë të drejtën. Dhe juve nuk ju doli keq. Bile ju doli shumë mirë. Asnjë opozite në botë nuk i ka dalë aq mirë, sa ju doli ju. Dhe asnjë shumicë qeverisëse në botë, nuk i ka bërë opozitës një dhuratë aq bujare, sa ne ju bëmë juve duke ju zgjedhur Ilir Metën president. Dhe besoj që këtu jeni dakord. Një president që edhe në ëndrrën tuaj më të harbuar nuk do e kishit parë dot aq të harbuar”, theksoi Rama.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKushi i tregon Zhupës godinën e rrënuar të filialit të Bujqësorit në Lushnjë: Ky ishte standardi juaj, nuk keni gojë të flisni
Artikulli tjetërFOKUS – Biden: Lufta ruso-ukrainase rriti çmimet dhe inflacionin