TIRANË, 13 prill/ATSH/ Bashkëpunimi rajonal sidomos mes administratave doganore është mjaft i rëndësishëm për lehtësimin e tregtisë.
Projekti “Mbështetje për Integrimin Ekonomik Rajonal”, po ofron asistencë në fushën e Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar për strukturat e CEFTA-s në përpjekjet e tyre për të thelluar më tej integrimin ekonomik rajonal dhe përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Europian.
Drejtori i përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli, gjatë një workshop-i, që po zhvillohet në Tiranë, vlerësoi faktin se, ky projekt pilot validimi realizohet vetëm pas disa muajsh nga depozitimi i kërkesës së AD pranë Sekretariatit CEFTA për njohjen dhe validimin e programit të Operatorëve Ekonomikë.
Po ashtu, Gazheli theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes në takim të përfaqësuesve të Doganës së Kosovës dhe shprehu bindjen se me zbatimin e projektit pilot bashkëpunimi në rajon për njohjen e Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar do të shkojë në një tjetër nivel.
Sa i përket arritjeve të administratës doganore, Gazheli u shpreh se vitet e fundit Dogana Shqiptare ka punuar intensivisht për hartimin e Dispozitave Zbatuese për Kodin e ri Doganor, duke synuar jo vetëm përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së, por dhe futjen e procedurave të reja të parashikuara prej tij, të cilat nënkuptojnë nevojën për një bashkëpunim më të madh në binomin Doganë-Biznes.
“Shqipëria ka përafruar gjerësisht legjislacionin doganor me acquis e BE-së në fushën doganore dhe ka avancuar gjithashtu me zbatimin e programit të Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar (OEA) duke autorizuar 8 operatorët e parë ekonomikë në vitin 2021. Thuajse të gjitha shërbimet nga autoritetet doganore dhe operatorët ekonomikë si dhe ruajtja e informacionit bëhen duke përdorur platforma elektronike”, tha Gazheli.
Në kuadër të Doganës pa letra, Administrata Doganore Shqiptare ka finalizuar procesin e nënshkrimit elektronik të Deklaratës Doganore, gjë e cila ka sjellë kryerjen e procedurave doganore nga operatori ekonomik pranë ambienteve të tij duke shmangur në këtë mënyrë paraqitjen e tyre pranë sportelit të doganës.
Ndërkohë janë marrë masat për krijimin e strukturës organizative në funksion të lehtësimit dhe thjeshtimit të procedurave dhe aktualisht është krijuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Zyra e Lehtësive Doganore, Tranzitit dhe Informimit të Operatorëve, duke i mundësuar kështu biznesit marrjen e informacionit të detajuar mbi rregullat, procedurat e ndryshme me qellim lehtësimin e biznesit dhe me fokus te veçantë informimin mbi Statusin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar.
/r.e/












