TIRANË, 7 shtator /ATSH/ – “Të hapim Partinë Socialiste për çdokënd që kërkon të kontribuojë në PS”.
Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla, duke folur sot për procesin e llogaridhënies publike në Asamblenë Kombëtare të PS-së, tha se, “në muajt maj-qershor dhe fillimkorriku u zhvilluan takime me qytetarët në çdo zonë të vendit nga Kryeministri, anëtarë të kabinetit qeveritar, kryetarë të bashkive, deputetët. Takimet ngritën probleme dhe shqetësime si për personat konkretë, edhe për komunitetet lokale, por edhe çështje të politikave në nivel kombëtar”.
Balla u shpreh se janë realizuar pothuajse 100 % të takimeve të planifikuara dhe në ato zona ku ende nuk janë zhvilluar 100% të takimeve, me fushatën e re që do të nisë, do të zhvillohen edhe ato takime.
“Gjatë fushatës së re që fillojmë, tashmë ministrat kanë detyrimin që një ditë në javë të jenë në terren. Do të jetë një formë llogaridhënie e qeverisjes në nivel lokal. Nga njësitë administrative do të zbresim në çdo bllok pallatesh, në çdo derë qytetari”, – tha Balla.
“Për herë të parë, – u shpreh Balla, – kemi radiografinë më të plotë të situatës dhe problematikave të situatës në çdo zonë të vendit. Raporti është prej 400 faqesh dhe është pjesë e grupit të punës mes qeverisë, deputetëve dhe strukturave të bashkisë”.
“Sa i përket problematikave kemi bërë një përmbledhje të të gjitha shqetësimeve. Kemi bërë problematika që lidhen me infrastrukturën, rrugët rurale, infrastrukturën bujqësore, kolektorët dhe ministrat e linjës i kanë pjesë të punës së tyre. Probleme të arsimit, shëndetësisë, Aluiznit janë pjesë e këtij raporti përfundimtar. Janë me dhjetëra-mijëra njerëzit që kanë marrë pjesë në takimet e llogaridhënies publike, që është boshti i qeverisjes tonë. Kur them qeverisjes, nuk kam parasysh vetëm qeverinë, por edhe grupin parlamentar dhe strukturat e partisë”, – tha Balla.
Sekretari i Përgjithshëm i PS u shpreh se, “nuk jemi aty ku duhet me anëtarësimet në parti, si në sasi, edhe në cilësi. Duhet të angazhohemi të gjithë me afrimin e njerëzve në PS. Anëtarësimet e reja duhet të kenë synim përmirësimin e listave me persona me reputacion publik në komunitet. Të kemi rrjet më të mirë patronazhimi të territorit”.
Balla u shpreh se, nevojitet ndërthurje mes hapjes së partisë dhe vëmendjes tek njerëzit, ky do të jetë thelbi i fushatës.
/gj.mima/j.p/





















