TIRANË, 8 prill/ATSH/ Sistemi i ujësjellës kanalizimeve i Beratit nga një rrjet i viteve 1970 tejet i amortizuar, pritet që brenda këtij viti të transformohet në 44 kilometra rrjet të ri shpërndarës dhe 11.5 km linjë kryesore dhe dytësore.
Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve bëri të ditur se nga investimi që po kryhet përfitojnë 64 mijë banorë të këtij qyteti.
“24 orë ujë të pijshëm e me cilësi për 64.000 banorë. Rrjeti i ujësjellësit të Beratit, një investim i nevojshëm prej dekadash, transformon rrënjësisht sektorin e ujësjellës kanalizimeve në këtë bashki”, bën të ditur AKUM.
Impakti i këtij investimi lidhet me përmirësimin e sasisë së ujit për frymë. Ky investim, vjen si pjesë e Programit Infrastruktura Bashkiake II-III, me financimin e qeverisë shqiptare, qeverisë gjermane (KfW), Bashkimit Europian dhe qeverisë zvicerane (SECO).
Në kuadër të këtij investimi janë instaluar 4950 ujëmatës.
/r.e/












