TIRANË, 25 mars/ATSH/ Pas botimit në Fletoren Zyrtare, hyri sot në fuqi vendimi “Për dhënien e mbrojtjes së përkohshme shtetasve të Ukrainës, personave pa shtetësi dhe personave që kanë fituar mbrojtje ndërkombëtare në Ukrainë, me vendqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Ukrainë, si dhe për krijimin e Taskforcës për menaxhimin e fluksit të kërkuesve të mbrojtjes ndërkombëtare”.
Vendimi parashikon dhënien e mbrojtjes së përkohshme këtyre shtetasve, që hyjnë masivisht në territorin e Republikës së Shqipërisë për arsye të luftës, cenimit të jetës së civilëve të pambrojtur, përshkallëzimit të veprimeve të armatosura ndaj popullsisë civile dhe që kërkojnë mbrojtje nga Republika e Shqipërisë.
Mbrojtja e përkohshme jepet edhe për ata shtetas ukrainas apo persona pa shtetësi dhe persona që kanë fituar statusin e mbrojtjes ndërkombëtare në Ukrainë, me vendqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Ukrainë, të cilët kanë hyrë dhe po qëndrojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Mbrojtja e përkohshme për këta shtetas fillon nga momenti i hyrjes në Republikën e Shqipërisë për një afat 1-vjeçar.
Përjashtohen nga e drejta e mbrojtjes së përkohshme, të gjithë personat të cilët plotësojnë një nga kushtet e përcaktuara në ligjin “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”.
Autoriteti përgjegjës për azilin dhe refugjatët mund të vendosë që kërkuesit t’i kufizohet liria e lëvizjes, nëse e konsideron të nevojshme, bazuar në vlerësimin individual të secilit rast.
Po ashtu, ky vendim parashikon edhe krijimin e Taskforcës, si një strukturë e posaçme e përkohshme me afat 1-vjeçar, për menaxhimin e fluksit të kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare nga këta shtetas.
Taskforca kryesohet nga ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike dhe në përbërje ka: Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme; Ministrin e Mbrojtjes; Ministrin e Financave dhe Ekonomisë; Ministrin e Arsimit dhe Sportit; Ministrin e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale; Ministrin e Turizmit dhe Mjedisit; Ministrin e Drejtësisë.
Taskforca ka për detyrë negocimin me partnerët ndërkombëtarë për çështjet që lidhen me objektin e këtij vendimi, si dhe hartimin e planit të veprimit për menaxhimin e fluksit të kërkuesve të mbrojtjes ndërkombëtare.
Po ashtu, Taskforca koordinon situatën e pritjes dhe akomodimit të shtetasve; evidenton nevojat emergjente për t’i paraprirë punës me ndryshimet e mundshme të kuadrit ligjor, nënligjor e rregullator, të cilat ndikojnë në përmirësimin në këtë funksion; analizon kërkesat shtesë buxhetore për funksionimin, shpenzimet dhe bazën e nevojshme materiale, si dhe koordinon fondet e donatorëve për këtë qëllim; koordinon punën për marrjen e masave për arsimimin e përkohshëm dhe mbështetjen psikosociale të fëmijëve që i përkasin moshës së arsimit parauniversitar, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi.
/m.m/r.e/





















