TIRANË, 23 mars /ATSH/ Ministrja e Financës dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj ishte në Riad të Mbretërisë së Arabisë Saudite, ku nënshkroi Protokollin e Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar për Bashkëpunimin Ekonomik mes Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe Shqipërisë.
Ky ishte, një finalizim i vizitës dyditore, gjatë së cilës Ibrahimaj zhvilloi një sërë takimesh të nivelit të lartë, si me ministrin e Investimeve Khalid Al Falih, drejtorin ekzekutiv të Fondit të Investimeve Sultan Al-Marshad dhe kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Ajlan bin Abdul Aziz Al Ajlan.
“Me autoritetet saudite konfirmuam vullnetin dhe interesin e fortë për të çuar më tej marrëdhëniet tona të shkëlqyera, në të gjitha fushat me interes të përbashkët”, u shpreh Ibrahimaj.
“Ftuam investitorët sauditë të investojnë në sektorë strategjikë, si energjia, hidrokarburet, infrastruktura, turizmi dhe bujqësia, ku Shqipëria ka potencial të lartë”, theksoi ministrja.
Gjithashtu Ibrahimaj u shpreh se, “dakordësuam nisjen e procedurave për hartimin e një traktati dypalësh për mbrojtjen dhe inkurajimin e investimeve ndërmjet vendeve tona, si hapi i parë drejt krijimit të një këshilli të përbashkët në dobi të biznesit”.
/a.a/r.e/














