Ballina Flash

Bido: Kënd arkivor në bashkinë e Hanias në Greqi

TIRANË, 28 shkurt/ATSH/ Në kuadër të nismës së ndërmarrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA), për sigurimin e një qasjeje të barabartë në dokumentet historike, është çelur Këndi Arkivor i radhës.

Këtej e tutje, falë bashkëpunimit mes DPA-së dhe komunitetit shqiptar në Qendrën Punëtore në Hania të Greqisë, bashkëkombasit e studiuesit atje do të përftojnë shërbim ekuivalent me sallën e studimit në Tiranë.

Platforma që mundëson unifikimin e hulumtimit në dokumentacionin arkivor në rrugë online, u prezantua nga drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, i cili shoqërohej nga një pjesë e stafit përfaqësues të DPA-së.

Ndërsa mes zyrtarëve lokalë të Hanias, qenë të pranishëm kryetari i komunitetit shqiptar, Afrim Avdiaj, sekretarja e përgjithshme e bashkisë, Eleni Zervudhaqi, drejtori i Qendrës Punëtore, Jani Manolakaki, si edhe nënkryetari i komunitetit shqiptar në Greqi, Luan Pacani.

Bido vlerësoi bashkëpunimin dhe nënvizoi veçanërisht rëndësinë e mirëpritjes së kësaj nisme për shqiptarët me vendbanim në ishullin e Kretës, të cilët do të kenë mundësi të shqyrtojnë materialin dokumentar në mjediset e një Këndi Arkivor, që është zgjatim i institucionit shtetëror shqiptar.

Kreu i DPA-së bëri të ditur synimin për njësimin e këtij sistemi në të gjithë arkivat e Ballkanit.

“Ky bashkëpunim është meritë e komunitetit shqiptar këtu, por në veçanti e bashkisë së Hanias. Pa gjetur këtë bashkëpunim, ne si institucion i vogël shtetëror nuk do të mundim, për arsye të mungesës së kapaciteteve për të marrë iniciativa shumë të mëdha. Ky bashkëpunim tregon një mendjehapësi të bashkisë së Hanias dhe një dashamirësi totale ndaj komunitetit shqiptar këtu, gjë për të cilën dua t’ju falënderoj personalisht. Me këtë lloj bashkëpunimi, komuniteti shqiptar dhe e theksoj, çdo studiues grek, mund të ketë një qasje pa pasur nevojë që të harxhojë me qindra euro për të ardhur në Tiranë. Ne kemi studiues grekë që vinin në Tiranë. Tanimë, nëse janë nga Kreta, nuk do të jenë më të detyruar të vijnë. Dhe veçanërisht për shqiptarët që e kanë dokumentacionin historik të kombit të tyre, që ta ndiejnë që kanë një institucion shtetëror shqiptar prezent fizikisht këtu. Unë shpresoj shumë që në të ardhmen, ky të jetë një sistem që ne do jemi të gatshëm ta ofrojmë edhe për arkivat e tjera. Po e nisim për Kosovën dhe do të donim që të bëhej një sistem i përbashkët për të gjitha arkivat e Ballkanit. Studiuesit i duhet dokumentacioni, pavarësisht nga cili shtet është”, u shpreh Bido.

Ndërkaq, në Hania u shfaq edhe një ekspozitë me dokumente dhe foto ilustruese në lidhje me zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe, si edhe figurat me rol domethënës në konsolidimin e edukimit amtar në vend. Mes materialeve të ekspozuara për publikun gjendeshin edhe dokumente mbi programin në shkollat greke në Shqipëri dhe zgjerimin e gjuhës helene në katedrat e këtij minoriteti.

/k.s/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKomisioni parlamentar miraton marrëveshjen për mbrojtjen shoqërore me Kosovën
Artikulli tjetërIbrahimaj, takim me biznesin: Fokus, zhvillimi i infrastrukturës së cilësisë