Ballina Flash

Sean Penn dokumentar për pushtimin rus të Ukrainës

LOS ANXHELES, 25 shkurt /ATSH/ – Aktori i njohur hollivudian, Sean Penn ndodhet në Ukrainë për një dokumentar mbi pushtimin rus, ndërkohë që tensionet në rajon  po përshkallëzohen, sipas NBC News.

”Penn, 61 vjeç, po punon për një dokumentar me VICE Studios, në bashkëpunim me VICE World News dhe Endeavour Content”, konfirmoi një zëdhënës i VICE.

Zëdhënësi nuk pranoi t’i jepte NBC News komente ose informacione të mëtejshme rreth projektit.

Një përfaqësues i Penn nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së NBC News për koment.

Prania e Penn në terren u konfirmua disa orë pasi presidenti rus Vladimir Putin filloi një pushtim të Ukrainës.

Aktori, fitues i çmimit Oskar, u fotografua në një konferencë shtypi në zyrën presidenciale në Kiev të enjten në imazhet e shpërndara nga Shërbimi i Shtypit i Operacionit të Forcave të Përbashkëta të Ukrainës.

Penn u shfaq gjithashtu shkurtimisht në historinë e Instagramit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Ky nuk ishte udhëtimi i parë i Penn në Ukrainë. Nëntorin e kaluar, Penn udhëtoi në vend për t’u takuar me anëtarët e ushtrisë pranë vijës së frontit me separatistët e mbështetur nga Rusia, në Donetsk.

Penn është kritikuar më parë se e ka vënë veten në qendër të krizave globale.

Në tetor 2015, ai intervistoi bosin e drogës Joaquin “El Chapo” Guzman për një artikull për  revistën ”Rolling Stone”./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPD: “Non grata” me Dakon po përpiqen të përfitojnë në kurriz të demokratëve
Artikulli tjetërIA shpesh ”përgjegjëse” në zgjedhjen e kandidatit të vlefshëm