Ballina Flash

Meta: Do angazhohem për fuqizimin e opozitës

TIRANË, 18 shkurt/ATSH – I. Vata/ Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se do të jetë gjithmonë në “ring” për të mbrojtur Kushtetutën.

Gjatë një interviste televizive Meta foli për vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe kallëzimin penal ndaj Kuvendit të Shqipërisë.

“Fati im ka qenë që të jem gjithmonë në ring për të mbrojtur Kushtetutën. Gjithmonë kam qenë i qartë dhe koherent në mbrojtje të saj. Lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kam pritur që të bëhej publik para 9 shtatorit 2021, kur përfundonte mandati i Kuvendit të kaluar. Ndërkohë jam në pritje të Prokurorisë lidhur me kallëzimin penal për falsifikimin e provave të depozituara nga Kuvendi në Gjykatën Kushtetuese. Duhet t’ju garantoj se unë nuk tërheq asnjë presje lidhur me rezervat që kam shprehur për sistemin e drejtësisë”, tha ai.

Meta shtoi se “Gjykata Kushtetuese nuk ka patur as materie dhe as arsye për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Procedurat e jashtëligjshme dhe të falsifikuara nga administrata e Parlamentit, si dhe numri prej 122 deputetësh të Kuvendit, e bënte nul gjithë këtë proces”.

“Presidenti i Republikës, që nga periudha që është zgjedhur, nga 5 vjet që ka mandatin, në 3 vite ka qenë nën hetim. Arsyeja dihet, sepse në krye të kësaj regjie për kapjen e shtetit është vetë zoti Rama. Burimi i tensionit në vend nuk ka qenë asnjëherë Presidenti i Republikës. Në kushtet kur rendi kushtetues, pluralizmi politik dhe vota e lirë vihen në pikëpyetje, unë nuk mund të qëndroja dhe as të qëndroj indiferent”, u shpreh Meta.

Në vijim, Meta, ka mohuar se do të jetë kandidat për një mandat të dytë si president.

“E pamundur të pranoj një mandat të dytë në detyrën e Kryetarit të Shtetit. Mandati im i dytë në Krye të Shtetit, ndoshta pas 25 vitesh”, tha Meta.

Presidenti Meta theksoi se opozita nuk ka bërë detyrën e saj për të mbrojtur popullin dhe shtetin.

“Nëse kjo opozitë nuk fiton, kjo tregon se ajo nuk do të fitojë. Kjo tregon qartë që lidershipi i opozitës bëri atë që deshi Edi Rama, dhe kjo më detyron të rikthehem si lider në politikë. Në 30 vitet e ardhshme do jem i përqendruar në kauzën e Sovranitetit. Shkaktari për gjendjen që po kalon vendi, është qeveria dhe opozita, e cila ka qenë në shërbim të saj, duke ja bërë më të lehtë, për të kapur të gjitha institucionet. Opozita nuk ka bërë detyrën e saj për të mbrojtur popullin dhe shtetin, duke i lënë fushën bosh mazhorancës”, u shpreh Meta.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPretendimet për “mercenarë shqiptarë” në Ukrainë, MEPJ thërret në shenjë proteste ambasadorin rus
Artikulli tjetërRama: 345,869 qytetarë kanë dhënë opinionin në platformën e Këshillimit Kombëtar