LONDËR, 15 shkurt /ATSH-DPA/ – Mbetet një dritare kryesore për diplomacinë, ajo që Rusia të tërhiqet nga kërcënimet e saj ndaj Ukrainës, deklaruan kryeministri britanik, Boris Johnson dhe presidenti amerikan, Joe Biden.
”Të dy udhëheqësit ranë dakord gjatë një telefonate se aleatët perëndimorë duhet të qëndrojnë të bashkuar përballë kërcënimeve ruse dhe të mbajnë kontakte të ngushta në këtë krizë”, sipas një zëdhënësi të Johnson.
Kjo deklaratë pason paralajmërimin e tij se ”një pushtim rus mund të ndodhë brenda 48 orëve”, ndërsa i kërkoi Putinit ”të tërhiqej nga buza e humnerës”.
Ministrja e Jashtme britanike Liz Truss, u kërkoi britanikëve të largoheshin nga Ukraina për shkak të rrezikut të një pushtimi të afërt rus.
Kryeministri Johnson dhe presidenti Biden informuan njëri-tjetrin për diskutimet e tyre të fundit me liderët e tjerë botërorë.
Udhëheqësit theksuan se ”çdo sulm i mëtejshëm në Ukrainë do të rezultonte në një krizë për Rusinë dhe për botën”.
Ata ranë dakord që aleatët perëndimorë duhet të qëndrojnë të bashkuar përballë kërcënimeve ruse, përfshirë vendosjen e një pakete të rëndësishme sanksionesh nëse agresioni rus përshkallëzohet.
Shtëpia e Bardhë tha se të dy udhëheqësit shqyrtuan gjithashtu “përpjekjet e vazhdueshme diplomatike dhe parandaluese në përgjigje të shtimit të vazhdueshëm të trupave ushtarake ruse në kufijtë e Ukrainës”./ /os/





















