Ballina Ekonomi

Tatimet japin detaje mbi risitë e taksës së pronës

TIRANË, 1 shtator/ATSH/ – Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton tatimpaguesit se në Fletoren Zyrtare nr. 125, u publikua udhëzimi i përbashkët nr. 29, datë 30.7.2018 “Për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së pasurisë së paluajtshme”, i cili shfuqizoi udhëzimin nr. 9, datë 26.2.2008, “Për tatimin e kalimit të së drejtës së pasurisë së paluajtshme”, i ndryshuar.

Përmes një njoftimi zyrtar, Tatimet sqarojnë se investitorët në biznesin e ndërtimeve, të cilët janë regjistruar në organet tatimore si persona juridikë (shoqëri tregtare) me objekt ndërtimin dhe shitjen e pasurive të paluajtshme, nuk janë subjekt i “tatimit” mbi të ardhurat personale nga kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme. Ata janë subjekt pagues vetëm të “taksës” vendore mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme.

Ndërkaq, investitorët në biznesin e ndërtimeve, të cilët janë regjistruar në organet tatimore si subjekte me status “person fizik tregtar”, janë subjekt i “tatimit” mbi të ardhurat personale nga kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme. Ata janë gjithashtu subjekt pagues të “taksës vendore” mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme.

Tatimet nënvizojnë gjithashtu se udhëzimi garanton një trajtim më të plotë dhe gjithëpërfshirës në lidhje me transaksionet e pasurive të paluajtshme të fituar me trashëgimi, dhe vendime gjyqësore si dhe për ato prona të cilat i janë nënshtruar proceseve të rivlerësimit, duke garantuar një trajtim të drejtë përsa i përket përllogaritjes së tatimit të kalimit të drejtës së pronësisë. /e.xh//e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakProjekti i rikualifikimit urban/ Puka atraksion i ri turistik shumëdimensional
Artikulli tjetërDepozitat rriten për të dytin muaj radhazi