Projekti i rikualifikimit urban/ Puka atraksion i ri turistik shumëdimensional

TIRANE, 1 shtator /ATSH/ – Ka përfunduar puna për rikualifikimin urban të sheshit qendror, shëtitores dhe fasadave të ndërtesave në Pukë, në veri të vendit, duke e shndërruar këtë qytet në një atraksion të ri turistik shumëdimensional.

Hapësirat e reja urbane, bashkë me liqenin e vogël që dikur ishte një vendgrumbullim  mbeturinash, e bëjnë qytezën alpine dhe krahinën përreth të gjithën për t’u zbuluar.

Projekti për rikualifikimin urban të Pukës me vlerë 2,2 milionë euro, realizoi një sërë investimesh, që nga ndërtimi i pedonales së qytetit, çatitë e ndërtesave, ndriçimi, rivitalizimi i hapësirave të gjelbra dhe ndërtimi i shatërvanit në sheshin e qytetit. Pas gati 30 vitesh investohet në Pukë, duke i dhënë një fizionomi tjetër këtij qyteti dhe duke e bërë më tërheqës për qytetarët dhe vizitorët, për shfrytëzimin e potencialeve të turizmit apo agroturizmit.

Sistemi i rikualifikimit të banesave, pedonalja dhe projekti i liqenit, i japin një tjetër frymëmarrje këtij qyteti me atraksion specifik të turizmit malor.

Rrethi i Pukës shtrihet në qendër të Shqipërisë Veriore, në një mjedis ku ndërthuren malet me luginat e thella, mbulesa të dendura pyjore me sipërfaqe të eroduara, lëndina e livadhe të cilat ndërpriten nga lumenj e përrenj të shumtë, kroje me ujë të kulluar ushqyer nga dëbora e shumtë që shpesh zbardh deri në verë. Këtu jeton një popullsi vitale, e shpërndarë në gjithë territorin, me një histori të pasur, që dëshmohet nga prania e qendrave arkeologjike, kalatë, gjurmët e mureve ilire, shpellat, si edhe me një kulturë shpirtërore që shprehet në traditat e zakonet, në këngët, vallet e kostumet popullore aq të bukura të kësaj treve.

Ky mozaik i mjedisit natyror të Pukës përbën një ofertë turistike të veçantë, mjaft të përshtatshme për shëtitje, ski, alpinizëm, gjueti sportive (të peshkut, shpendëve dhe kafshëve të egra) dhe për veprimtari të tjera rekreative, çlodhëse e argëtuese. /e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.