TIRANË, 31 janar /ATSH-I.Vata/ Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë, për ngritjen dhe funksionimin e një qendre të përbashkët policore dhe doganore”.
Në drejtimin e kryetarit, Nasip Naço, në cilësinë e komisionit përgjegjës, Komisioni për Sigurinë Kombëtare mori në shqyrtim projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë, për ngritjen dhe funksionimin e një qendre të përbashkët policore dhe doganore”.
Në mbledhjen e komisionit ishin të pranishëm Andi Mahila, zëvendësministër i Brendshëm, Eduart Merkaj, drejtor i departamentit për Kufirin dhe Migracionin; Ilia Bili, drejtor i Drejtorisë së Antikontrabandës DPD dhe të ftuar të tjerë.
Nga ana e tij, Mahila bëri prezantimin e detajuar të projektligjit duke theksuar, midis të tjerave, se “qëllimi i këtij projektligji është rritja dhe forcimi i bashkëpunimit të autoriteteve kompetente të palëve, nëpërmjet shkëmbimit të informacionit, duke mirë përcaktuar detyrat e qendrës, të pavarura nga detyrat e organeve doganore e policore”.
Më tej, Mahila shpjegoi se nëpërmjet kësaj marrëveshjeje palët angazhohen të forcojnë bashkëpunimin dhe përmirësimin e shkëmbimit të informacionit doganor e policor. Për sa i përket vendndodhjes qendra do të pozicionohet në territorin e Republikës së Greqisë, në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës. “Krijimi i kësaj qendre nuk do të sjellë mbivendosje me organet doganore e policore”, shpjegoi Mahila në fjalën e tij.
Ndërsa, Antoneta Dhima në cilësinë e relatores, vlerësoi rëndësinë e nismës dhe vuri në dukje disa nga aspektet ligjore dhe administrative të marrëveshjes e cila bazohet mbi parimet e bashkëpunimit dhe reciprocitetit, mbrojtjes së të dhënave personale, përmirësimit të shërbimeve dhe kushteve të pikave kufitare e doganore si dhe trajnimit të vazhdueshëm të personelit të tyre.
Pas pyetjeve dhe diskutimeve anëtarët miratuan në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.
/j.p/r.e/





















