Ballina Aktualitet

Spiropali: Zgjedhjet e 25 prillit, humbja e radhës e PD-së

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali duke iu drejtuar kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha sot se “zgjedhjet e 25 prillit nuk ishin një masakër zgjedhore, por ishin humbja juaj e radhës, pranojeni këtë”.

Në fjalën e saj në Kuvend, Spiropali tha se “sa më shpejt ta pranoni, aq më shpejt do ndryshoni ju dhe gjithë partia juaj. Ndoshta problemet tuaja të brendshëm nuk do t’ju rëndonin kaq shumë nëse do të pranit të vërtetën. E vërteta të bën të lirë. E pranoni që zgjedhjet e 25 prillit ishin humbja juaj për shkak të paaftësisë tuaj për të bërë bashkë demokratët, shqiptarët, për të pasur një alternativë, përveç asaj që vini e predikoni këtu çdo të enjte për regjime për autokraci, që ekzistojnë vetëm në mendjen tuaj dhe jo në realitetin shqiptar, për të cilin flasin raportet më serioze”.

Duke iu drejtuar Bashës, Spiropali u shpreh se “përpara se të flasë për legjitimitet, bën mirë të sqarojë pozicionin brenda PD-së në raport me shqiptarët e pastaj të kërkojë nga ky Kuvend e kjo shumicë llogari. Ne kemi kërkuar që Komisioni i Reformës Zgjedhore sot e gjithë ditën të ngrihet, ju keni pasur disa punë në partinë tuaj, dhe nuk keni qenë të vëmendshëm, Por nuk mund të vini këtu sa herë që keni problem të brendshme e të hidhni baltë mbi proceset në Shqipëri”, nënvizoi Spiropali.

Më tej Spiropali tha se “për ngritjen e komisioneve hetimore kjo shumicë vetëm ju ka mbështetur në kërkesat tuaja. Komisioni për hetimin e zgjedhjeve, Komisioni për inceneratorët u ngritën, mazhoranca ka qenë e gatshme të përgjigjet aty i keni dhe të regjistruara këto komisione, por nuk kemi parë deri më sot përveç përshkrimeve folklorike tuaja dhe ndonjë bejte të radhës, se ku janë pengesat që ne kemi parashtruar”.

Për më tepër, vijoi Spiropali, në ballafaqimin me ne për sistemin e drejtësisë ju nuk mund të vini, nuk mateni dot me ne ne kemi bërë ndarjen tonë në 2013 kur kemi vendosur të ndryshojmë rrënjësisht këtë sistem drejtësie.

“Sot kemi zyrtarë të lartë, të cilët po hetohen, në kohën tuaj zyrtarë të lartë të arrestuar vazhdonin detyrat në arrest shtëpie dhe ju i mbronit me nder”, tha ajo.

/k.s/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakANKARA – Erdogan: Turqia e gatshme të presë liderët rusë dhe ukrainas
Artikulli tjetërSPAK dërgon për gjykim 17 të pandehur, mes të cilëve 5 punonjës të Kadastrës