Ballina Aktualitet

Bardhi: 6 marsi nuk është test për PD-në

TIRANË, 24 janar /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi sot se 6 marsi nuk është një test për PD-në.

Në një intervistë televizive, Bardhi u shpreh se, zgjedhjet janë me kushtet e 25 prillit.

I pyetur nëse është 6 marsi një test për PD në një situatë problematike, ku ajo po kalon, Gazment Bardhi u shpreh se, “ne jemi në një moment transformimi. Në një moment të veshtirë, në një krizë të brendshme tonën”.

“Nuk do t’i quaja zgjedhjet e 6 marsit test për PD, edhe për faktin se ato vijnë pa mbushur vitin nga masakra e 25 prillit”, tha Bardhi.

“Nuk është marrë asnjë masë ligjore për atë që ka ndodhur në 25 prill, nuk ka nisur puna për reformën zgjedhore, shkojmë me të njëjtat kushte si në 25 prill”, u shpreh ai.

“Shtuar kësaj edhe koha e pamjaftueshme për fushatën, i bën zgjedhjet e 6 marsit jo një test për PD, por zgjedhje të pjesshme vendore normale për këtë vit të mandatit që ka mbetur në bashkitë ku është krijuar vakanca”, theksoi Bardhi.

Bardhi gjithashtu u shpreh se, dekretimi i zgjedhjeve në 6 mars ka pasur qëllim të vërë në vështirësi PD-në.

“Dekretimi i beftë i zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës ka patur një qëllim, për të vënë në vështirësi PD”, tha ai.

“Presidenti do të duhej të bënte atë që kishte premtuar, t’i shkonte deri në fund të provuarit se në 30 Qershor u bënë zgjedhje të paligjshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën, do të duhej t’i ishte nënshtruar vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, tha Bardhi.

“Kjo gjykatë nuk i ka legjitimuar zgjedhjet e 30 qershorit. Nuk ka thënë se këto zgjedhje ishin kushtetuese apo të ligjshme. Ka thënë se subjekti që  vë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese nuk duhet të ishte shoqata e bashkive, por presidenti i republikës, duke  dhënë kështu mundësinë presidentit qe ta inicionte procesin në këtë gjykatë. Pra, gjykata nuk i ka hyrë thelbit të çështjes”, theksoi Bardhi.

“Në vend që t’i bindet këtij urdhërimi kushtetues, presidenti, në mënyrë të beftë, pa u konsutuar, për herë të parë në këto 30 vjet, me partitë politike të opozitës, asnjë president nuk ka dekretuar zgjedhje pa e bërë këtë konsultim. Nuk është detyrim, por është një standard i mirë i vendosur nga Presidentët. Nuk mund të ndodhë që të konsultohesh me qeverinë dhe jo me opozitën. Kjo tregon qartë se qëllimi i vetëm, për fat të keq, i koordinuar i zotit Meta me segmente të PD, është në unison me zoti Berisha, ka patur si qëllim të vetëm; të vendosë  në vështirësi PD. Asnjë vështirësi nuk ka për të patur për PD, përsa i përket zgjedhjeve të 6 marsit. Kemi konfirmuar pjesëmarrjen. Jemi në përfundim të procedurave tona të brendhsme për përzgjedhjen e kandidatëve”, tha Bardhi.

“Besoj se për aq dijeni sa kam, do të kemi përfaqësimin  më të mirë të mundshëm për secilën prej 6 bashkive duke synuar fitoren në këto 6 bashki”, u shpreh ai. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTabaku: Gjuha e vërtetë e Veliajt larg nga sjellja prej qytetari
Artikulli tjetërMeta: Krenar për gjithçka kam bërë këto vite si President