Ballina Flash

FOKUS – Jetë e re për babë e bir, simbole të mizorive në Siri

SIENA, 20 janar /ATSH-ANSA/ – Munzir dhe Mustafa, babë e bir sirianë, pa gjymtyrë për shkak të luftës dhe protagonistë të fotos së titulluar ”Hardship of Life” (”Vështirësitë e jetës”), që ka bërë xhiron e botës duke u shndërruar në një imazh simbolik të dramës siriane, do të mbërrijnë nesër në mbrëmje në Itali për të nisur një jetë të re në Siena, pas trajtimit në qendrën e protezave ”Vigorso” të Budrios, në afërsi të qytetit të Bolonjës.

Njoftimi e bëri të ditur organizatorët e konkursit ”Siena International Photo Awards”, që ka shpërblyer si fitues fotografinë e Mehmet Aslan.

Vetë organizatorët nisën një mbledhje fondesh për të ndihmuar babanë dhe djalin, viktima të pafajshme të konfliktit në Siri.

Organizatorët, përmes mbledhjes së fondeve, që përfshin edhe një program rehabilitimi dhe ndihme për njerëzit që kanë pësuar amputime, kanë arritur të mbledhin mbi 100 mijë euro.

“Nesër do të mbërrijnë në Itali nga Turqia, Munziri dhe Mustafa. Ata do të shkojnë të jetojnë në një shtëpi të ‘Caritas’ në Sienë vënë në dispozicion nga kryedioqeza dhe do të mund të kurohen vetë në qendrën e protezave në Vigorso di Budrio”, shpjegoi themeluesi dhe drejtor artistik i çmimit fotografik, Luca Venturi.

”Kjo foto është kthyer në një mbështetje të vërtetë për familjen falë mbledhjes së fondeve, që u janë bashkuar shumë njerëz.  Kjo nismë ishte zgjedhja e duhur sepse realizoi këtë mrekulli”, shtoi ai./  /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakILD kërkon shkarkimin nga detyra të prokurores së Dibrës
Artikulli tjetërKisha e Shën Ndout në Kepin e Rodonit, hapet shumë shpejt për besimtarët e turistët