Ballina Aktualitet

Mesazhe urimi për presidenten e re të PE-së, Roberta Metsola

TIRANË, 18 janar /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla uroi presidenten e re të Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.
Nikolla u shpreh e bindur se nën drejtimin e Metsolës, Parlamenti Evropian do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht e me vendosmëri rrugëtimin evropian të Shqipërisë.

“Urime presidentes së re të Parlamentit Evropian, Roberta Metsola. Jam e bindur se, nën drejtimin e presidentes Metsola, Parlamenti Evropian do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht e me vendosmëri rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe do të intensifikojë e zgjerojë bashkëpunimin me Kuvendin e Shqipërisë!”, u shpreh Nikolla.

Balla: Parlamenti Europian mbetet gjithmonë mbështetës i procesit të zgjerimit

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka uruar sot zgjedhjen e presidentes së re të Parlamentit Europian, Roberta Metsola.

Përmes një reagimi, Balla u shpreh se Parlamenti Europian mbetet gjithmonë mbështetës i procesit të zgjerimit të BE me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Përgëzime presidentes së sapozgjedhur të Parlamentit Europian Roberta Metsola. Parlamenti Europian mbetet gjithmonë mbështetës i procesit të zgjerimit të BE me vendet e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Balla.

Meta: Mirëpres bashkëpunimin e ngushtë në procesin e integrimit europian

Presidenti i Republikës, Ilir Meta uroi sot Roberta Metsolën për zgjedhjen si presidente e Parlamentit Europian.

Meta u shpreh se mirëpret bashkëpunimin e ngushtë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, me shpresën për çeljen sa më parë të negociatave të anëtarësimit.

“Urime të përzemërta Roberta Metsola për zgjedhjen si Presidente e Parlamentit Europian! Mirëpres bashkëpunimin e ngushtë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, me shpresën për çeljen sa më parë të negociatave të anëtarësimit. Jam besimplotë për vendosmërinë e saj në mbrojtje të vlerave europiane dhe forcimit të demokracisë, përfshirë dhe në të gjitha vendet e zgjerimit”, u shpreh Meta.

Xhaçka: Mirëpresim të punojmë ngushtë së bashku në këtë vit vendimtar

Ministrja për Evropën dhe Punët e jashtme, Olta Xhaçka uroi sot Roberta Metsolën për zgjedhjen si presidente e Parlamentit Europian. Xhaçka u shpreh se mezi pret të bashkëpunojë ngushtë në këtë vit vendimtar për Shqipërinë.

“Urimet më të mira për Roberta Metsola në emërimin e saj si Presidente e Parlamentit Evropian. Mirëpresim të punojmë ngushtë së bashku në këtë vit vendimtar për integrimin e Shqipërisë në BE”, u shpreh Xhaçka në një reagim.

Me një shumicë të qartë, Parlamenti Evropian votoi konservatoren Roberta Metsola si presidenten e tij të re, duke zëvendësuar David Sassoli, i cili vdiq papritur javën e kaluar.

Metsola, 43 vjeçe, vjen nga Malta dhe i përket fraksionit të qendrës së djathtë të Partisë Popullore Evropiane (EPP).

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakManastirliu: Mbizotëron varianti Omicron, testimi ofrohet në gjithë territorin
Artikulli tjetërBRUKSEL- BE: Të lirohet Navalny, absurde shtimi i akuzave ndaj tij