Ballina Aktualitet

Nikolla: E trishtë të shohësh degradimin e opozitës

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla sqaroi sot se si do të procedohet në rast të largimit të deputetëve demokratë nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, pas përjashtimeve dhe pezullimeve që janë bërë nga kryesia e PD-së.

E ftuar në një studio televizive, Nikolla tha se “në të gjitha rastet, mënyra sesi do të veprohet është e caktuar në rregulloren e Kuvendit”.

“Deputetët kanë të drejtë të vendosin të lirë për t’u larguar nga një grup për të shkuar në një tjetër. Vetëm se koha duhet të jetë në mes 6 muaj. Pas gjashtë muajsh hyjnë në fuqi ndryshimet”, tha ajo.

Ndërkohë, Nikolla u shpreh se “pamjet e protestës së 8 janarit ishin të trishta jo vetëm për PD-në, por për të gjithë vendin”.

“Është e trishtë të shohësh degradimin e opozitës. Kemi nevojë për një opozitë të shëndetshme. Në datën 8 janar ishte një situatë e papranueshme. Mjetet e dialogut politik degraduan në mjete të dhunës. Tërësisht e pazakontë në një lojë luftërash për të marrë selinë”, tha ajo.

Nikolla theksoi se mazhoranca nuk e mat suksesin e vet me degradimin e opozitës. “PS ka kaluar në situata ku ka pasur mendime ndryshe dhe kanë kaluar qetësisht, duke iu referuar organeve dhe me një lloj legjitimiteti politik. Nuk kemi parë kurrë këtë dhunë. Unë kam qenë deputete e Kuvendit, kur kemi pasur protesta të dhunshme të opozitës. Pamje të tilla trishtojnë këdo, së pari demokratët dhe pastaj të gjithë opinionin publik”, tha ajo. /m.m/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGREQI – Bien rastet me Covid-19, kulmi nuk është arritur ende
Artikulli tjetërFRANCË- Dendias: BE duhet të diskutojë kërcënimet në rajonin e Mesdheut Lindor