TIRANË, 24 janar /ATSH/ Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur fajtor kryebashkiakun e Rrogozhinës, Edison Memolla, për akuzën e “korrupsionit aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim.
Sipas medieve, GJKKO e ka dënuar Memollën me 1 vit “arrest me burg”. Gjykata dha gjithashtu dënim plotësues për Edison Memollën që për pesë vite të mos ushtrojë funksione publike.
Memolla tha se pret që të zbardhet vendimi e më pas do të japë një deklaratë më të qartë për mediet.
“Presim të zbardhet vendimi, pastaj do të kemi një deklaratë më të qartë. Do t’jua japim edhe ju medieve, do ta publikojmë”, u shpreh Memolla.
Fajtor u shpall edhe Blerim Xhamani, që u dënua me një vit burg për korrupsion dhe për falsifikim. Ndërsa, Isuf Tosku u dënua me tetë muaj heqje lirie, që pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, iu caktua shërbim prove.
Hetimet për kryebashkiakun nisën pas publikimit në media të një audiopërgjimi ku dëgjohet Edison Memolla, në atë kohë kandidat për kryetar bashkie në Rrogozhinë, teksa ndikon tek një elektriçist për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor.
Për Prokurorinë e Posaçme, e gjithë kjo bëhej me qëllim që qytetari të votonte në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 6 mars 2022.
/r.e/a.f/






















