PRISHTINE, 5 janar/ATSH/ Draftstatuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe i hartuar nga Bashkimi Evropian do të jetë një barrë për qeverinë e ardhshme pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, thonë analistët politikë. Megjithatë, sipas tyre, ky dokument është i dëmshëm për Kosovën dhe si i tillë nuk duhet të marrë vulën e ekzekutivit.
Njohësi i Kushtetutës së Kosovës, profesori universitar, Mazllum Baraliu, thotë për KosovaPress, se draftstatuti i Asociacionit sipas propozimit evropian dhe i mbështetur nga ShBA-ja, rrënon strukturën shtetërore të Kosovës.
Mirëpo, analisti politik, Seb Bytyçi, thotë për KosovaPress, se qeveria e ardhshme pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, mund të dërgojë draftstatutin e Asociacionit për shqyrtim në Gjykatë Kushtetuese nëse ka ndonjë ofertë konkrete për Kosovën në procesin integrues në BE, anëtarësimin në Këshill të Evropës, si dhe partneritetin për paqe të NATO-s.
Bashkimi Evropian me mbështetjen e ShBA-së, i ka dorëzuar Kosovës një draftstatut të Asociacionit, mirëpo me gjithë kërkesën e faktorit ndërkombëtar që ky draft për Asociacionin të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese, si hap drejt themelimit të tij, Qeveria Kurti deri më tani nuk ka bërë ndonjë lëvizje./KosovaPress/























