Ballina Flash

Koçiu: Mbi 2 mijë mjekë dhe infermierë në gatishmëri; Në 2025 nisim rikonstruksionin e Spitalit të Traumës

TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu zhvilloi sot një vizitë në Spitalin Universitar të Traumës nga ku bëri të ditur edhe planin e masave të marra për natën e ndërrimit të viteve dhe në ditët e para të Vitit të Ri.

Ministrja Koçiu tha se “të gjitha strukturat shëndetësore në të gjithë vendin do të jenë në gatishmëri të plotë. Jo vetëm Spitali i Traumës dhe QSUNT, por edhe spitalet rajonale dhe ato bashkiake. Në shërbim të qytetarëve që do të jenë mbi 2 mijë mjekë, infermierë dhe personel shëndetësor”.

Gjithashtu, Koçiu ka theksuar se në gatishmëri do të jenë edhe strukturat e sistemit parësor.

Në Tiranë do të jenë 6 qendra shëndetësore që do të ofrojnë shërbim 24/7 për urgjencat pediatrike, për të lehtësuar fluksin në urgjencën e Spitalit Pediatrik pranë QSUNT-së.

Gjithashtu, ministrja Koçiu bëri të ditur se në 2025 do të nisë rikonstruksioni i godinës qendrore të Spitalit të Traumës me mbështetjen e buxhetit të shtetit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu përcolli edhe mesazhin e urimit për të gjithë mjekët, infermierët, personelin e spitaleve dhe urgjencave në të gjithë vendin, e veçanërisht për stafet shëndetësore që do të jenë në krye të detyrës në këto ditë festive.

Në Tiranë do të jenë 6 qendra shëndetësore nr. 1 Tefta Tashko, qendra shëndetësore nr. 4 – Siri Kodra, qendra shëndetësore nr. 10 – Oxhaku, qendra shëndetësore nr. 8 – Sheshi Wilson, qendra shëndetësore nr. 7 – Laprakë, qendra shëndetësore nr. 6 – Kombinat. /r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRitet e veçanta të ndërrimit të viteve në Shqipëri dhe botë
Artikulli tjetër“Travel and Tour World”: Vlora – perla mesdhetare në zhvillim me plazhe të parezistueshme