Ballina Aktualitet

Kërkoi pavlefshmërinë e provave nga komunikimet në “Sky” dhe “Encrochat”, Kushtetuesja rrëzon Pëllumb Gjokën

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Pëllumb Gjokës, i cili kërkoi pavlefshmërinë e provave nga komunikimet në ‘Sky’ dhe ‘EncroChat’. Biznesmeni ndodhet në burg i arrestuar në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.

Në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se mori në shqyrtim çështjen me kërkues Pëllumb Gjoka me objekt shfuqizimin e vendimeve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, për pjesën që kanë disponuar për caktimin dhe vazhdimin e masës së sigurimit personal “Arresti në burg” ndaj kërkuesit.

Po ashtu, Gjika kishte kërkuar shfuqizimin e disa pikave të vendimit “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, të ndryshuar, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës Shqipërisë, për shkak se cenojnë pavarësinë dhe paanësinë e gjykatësve të posaçëm.

Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Gjykata vendosi, njëzëri, rrëzimin e kërkesës.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore. /J.P/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakProfesionet e lira, Tatimet: 95% e tatimpaguesve janë rimbursuar 
Artikulli tjetërITALI – Gjykata e Kasacionit: Vlerësimi i vendeve të sigurta varet nga ministrat