TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/ Në Zall-Herr, Tiranë, është identifikuar një vatër e gripit të shpendëve (H5N1) në një fermë oborri familjar.
Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve njofton se zona është karantinuar dhe janë marrë masa për parandalimin e përhapjes së infeksionit.
AKVMB në kuadër të transparencës dhe të informimit të publikut, menjëherë pas marrjes së konfirmimit nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë mbrëmjen e ditës së premte, për prezencën e sëmundjes së Influencës Aviare me patogjenitet të lartë (H5N1) në një vatër të identifikuar si fermë oborri familjar me pula dhe gjela deti ka marrë masa për kontrollin efikas dhe të menjëhershëm të situatës në terren.
Sipas AKVMB, mëngjesin e datës 28.12.2024 përfaqësues të AKVMB inspektuan nga afër vatrën e identifikuar si pozitive, në fshatin Cekrez Morinë, Njësia Administrative Zall-Herr, Tiranë.
Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve informon publikun se ka marrë të gjitha masat për eliminimin me qëllim çrrënjosjen e infeksionit, si dhe ka karantinuar vatrën dhe zonat e mbrojtjes dhe mbikëqyrjes, për izolimin dhe parandalimin e përhapjes së infeksionit.
Për cdo rast dyshimi, kërkohet komunikimi i menjëhershëm me shërbimin veterinar rajonal, mosmanipulimi me shpendët e dyshuar, si dhe për efekt kohe kontakti me AKVMB në numrin e gjelbër 08003366, ose në adresën e e-mail: [email protected].























