Ballina Flash

Mblidhet Komisioni i Përhershëm i Gjuhësisë dhe Letërsisë

TIRANË, 16 dhjetor/ATSH/ Në Akademinë e Shkencave u zhvillua mbledhja e Komisionit të përhershëm të gjuhësisë dhe të letërsisë, me pjesëmarrjen e anëtarëve të komisionit dhe grupit të punës për strategjinë e kërkimit shkencor të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë.

Mbledhja u kryesua nga prof. dr. Anila Omari, kryetare e Komisionit të përhershëm të Gjuhësisë dhe të Letërsisë.

Diskutimet u përqendruan në projektin e strategjisë së kërkimit shkencor, e cila do të finalizohet në ditët në vijim, si dhe në planifikimin e aktiviteteve për vitin 2025. Akademia e Shkencave bëri me dije se u diskutua nevoja e përditësimit të disa çështjeve të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, pa prekur parimet themelore.

Ndër propozimet e miratuara ishin: Organizimi i një tryeze pune për drejtshkrimin, ku do të trajtohen çështje si përdorimi i shkronjës së madhe, shkrimi i emrave të përveçëm të huaj dhe fjalët e përbëra me vizë ose zanore lidhëse. Si edhe përfshirja e një grupi pune të specializuar për këto çështje, duke bashkëpunuar me gjuhëtarë nga Kosova. Gjithashtu, u diskutua për mundësinë e organizimit të një veprimtarie ndërdisiplinore kushtuar Peter Priftit. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSejko: Në 2024 u rritën të ardhurat dhe punësimi, 2025-a pritet të jetë po ashtu pozitive
Artikulli tjetërKrasniqi takim me Tarran: OSBE, ekspertizë AMA-s për përshtatjen e akteve të reja ligjore të BE-së