Ballina Aktualitet

BKH – SELEC, bashkëpunim për hetimet kundër korrupsionit e krimit të organizuar

TIRANË, 13 dhjetor/ATSH/ Në funksion të bashkërendimit të përpjekjeve për rritjen e bashkëpunimit më të ngushtë ndërkombëtar në zbatimin e ligjit, u nënshkrua sot në Rumani një marrëveshje bashkëpunimi mes Qendrës së Evropës Juglindore për Zbatimin e Ligjit (SELEC) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Marrëveshja u nënshkrua nga drejtoresha e BKH-së, Aida Veizaj (Hajnaj) dhe në emër të SELEC nga drejtori i përgjithshëm, Oğuz Serkant Akin.

Ceremonia u zhvillua në selinë e SELEC, në Bukuresht, në prani të një delegacioni të nivelit të lartë shqiptar, ku merrte pjesë dhe drejtori i përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli.

Akin u shpreh se, “SELEC është besimplotë që ka një partner të ri dhe se ky bashkëpunim do të japë rezultate pozitive për të dyja palët”.

Marrëveshja synon rritjen e bashkëpunimit mes BKH dhe SELEC në kryerjen e hetimeve cilësore në fushën e veprave penale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakIntegrimi, Rizzo: Zbatimi i reformave pa asnjë vonesë
Artikulli tjetërITALI – Sindikatat sërish në grevë për rritjen e pagave dhe pensioneve