TIRANË, 9 dhjetor /ATSH/ Kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana ka realizuar një dëgjesë publike online me diasporën e bashkisë që ai drejton.
“Sapo realizuam Dëgjesën Publike Online me diasporën shijakase, si një urë komunikimi e nevojshme për të gjithë familjet e Shijakut që jetojnë në botë”, shkruan Arbana.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, kryebashkiaku i Shijakut ka falënderuar shijakasit që morën pjesë në këtë takim.
“Pjesëmarrja juaj tregon rëndësinë e dialogut dhe të mbështetjes për qytetin tonë. Ju falenderoj për pyetjet që kishit si dhe për sugjerimet, mendimet, idetë dhe eksperiencat tuaja se çfarë mund të bëjmë më mirë për Shijakun, qytetin tonë të zemrës”, shkruan Arbana.
Më tej Arbana nënvizon se zëri i qytetarëve të diasporës është shumë i rëndësishëm për bashkinë e Shijakut.
“Tani që jemi në prag të miratimit të Buxhetit Afatmesëm 2025-2027, do të shqyrtojmë kërkesat e tyre për zhvillimin e qytetit dhe njësive administrative”, thekson Arbana.
Arbana bën me dije se kanë diskutuar “problematika të ndryshme duke nisur nga rindërtimi, procesi i legalizimeve, përmirësimi i transportit publik, infrastruktura e ujësjellësit, njësitë e shërbimit në lagjen ‘Lugina’ dhe pallatet e reja që kemi ndërtuar, kënde lojrash dhe hapësira çlodhëse për fëmijët e të moshuarit, turizmin, investimi që vetë emigrantët mund të bëjnë në Shijak etj.”.
“Ky takim do të pasohet dhe nga të tjera, për të patur një lidhje të vazhdueshme mes shijakasve të diasporës dhe qeverisjes tonë vendore. Ku ka vullnet, ka zgjidhje”, shkruan Arbana.
/r.e/























