TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/ Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni zhvilloi një takim në Berlin me përfaqësues të Fondacionit Bertelsmann.
Në takim u diskutua për rezultatet e Shqipërisë në Indeksin e Transformimit Bertelsmann (BTI) për vitin 2024.
Pirdeni theksoi se sipas këtij indeksi, Shqipëria është një vend me qeverisje të mirë, duke u renditur e 13-ta në botë nga 137 vendet në zhvillim
“Indeksi konfirmon se Shqipëria është një vend me qeverisje të mirë, duke u renditur e 13-ta në botë nga 137 vendet në zhvillim dhe transformim të analizuara për indeksin e qeverisjes”, theksoi Pirdeni.
“Shqipëria është vetëm një nga tetë vende të BTI-së që kanë bërë progres substancial politik në dekadën e fundit”, nënvizoi Pirdeni.
Veçanërisht i rëndësishëm, shtoi ministrja, “është përmirësimi i shpejtë në cilësinë e qeverisjes, që është rritur me 1.69 pikë në BTI gjatë dhjetë viteve të fundit, duke e renditur Shqipërinë ndër tre vendet me përmirësimin më të madh të qeverisjes në botë”.
“Vendi ka bërë përparime në të gjitha fushat e qeverisjes, sipas raportit por, me një rritje prej 2.0 pikësh, veçanërisht në fushën e efikasitetit të burimeve, përfshirë politikat kundër korrupsionit”, theksoi më tej Pirdeni. /j.p/






















