TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Në punimet e nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik, gjatë seancës dëgjimore mbi planin e masave për zbatimin e rekomandimeve të KLSH-së, përfaqësuesja e ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Nertila Topulli tha se shërbimet e integruara social-shëndetësore për moshën e tretë janë në kuadër të strategjisë së mbrojtjes sociale që është miratuar në muajin mars të këtij viti.
“Një nga masat e parashikuara është deinstitucionalizimi. Pra, shërbimi social shtetëror në drejtim të qendrave për përkujdesin social për të moshuarit u transferohet njësive të qeverisjes vendore dhe kjo është parashikuar të bëhet brenda dy viteve deri në 2027. Në kuadër të integrimit evropian është hartuar udhërrëfyesi ku një nga detyrimet tona është edhe pjesa e rishikimit të ligjit 121/2016 në këto afate. E kemi parë më të udhës, edhe nga interesi i shtuar për shkak të analizave dhe vlerësimeve për këtë grupmoshë në vend, ne nga fillimi i vitit 2025 do ngremë grupin e punës për rishikimin e këtij ligji. Nuk jemi vetëm në atë mendësinë ku parashikohej brenda dy viteve të ishte bërë procesi i plotë i decentralizimit të procesit, por janë edhe një sërë analizash dhe vlerësimesh ku është e kuptueshme që akoma njësitë e qeverisjes vendore nuk i kanë kapacitetet, burimet financiare apo njerëzore për t’u përshtatur dhe për të kaluar këto shërbime nga nivel kombëtar në shërbime të decentralizuara”, tha Topulli.
Deputetja Emilja Koliqi në cilësinë e drejtueses së punimeve të këtij nënkomisioni kërkoi një pasqyrë më të qartë të mënyrës së trajtimit të pensioneve në këto qendra të moshuarish. Sipas saj, në Shkodër ka një marrëveshje me gojë ku 40% e masës së pensionit kalon në degën e thesarit, ndërsa 60% nuk dihet si trajtohet nga këto institucione.
“Nëse do i referohemi gjetjeve dhe rekomandimeve që janë lënë në dhjetor të vitit 2023, pretendohet se në IPSH-të e të moshuarve, përfituesit marrin shpërblimin kundrejt tarifës në masën 40% të masës së pensionit, ekuivalent me shumën gjashtë mijë lekë që i jepet përfituesve bazuar në VKM-në 518/2018. Ligji 121, thekson se individi që nuk preket nga këto shërbime, ka të drejtë të kërkojë përfshirje të përkohshme në institucionet e shërbimit, rezidenciale apo komunitare deri në mbarimin e rrethanave të veçanta për të cilat i moshuari ka kërkuar shërbim. Sipas VKM-së 518, sqarojmë se përfituesit në qendrat rezidenciale marrin çdo shërbim falas pa paguar asnjë lloj tarife. Tarifat për shërbimet publike do të jenë bazuar në kuadër të hartimit të standardeve specifike, të shërbimit për të moshuarit në qendrat e institucionet për përkujdesin shoqëror. Shërbimet brenda IPSH-ve janë falas”, vijoi Topulli.
Deputetja e Partisë Demokratike, Sorina Koti kërkojë të dijë nëse të moshuarit që janë shëndoshë mendërisht dhe ata që kanë probleme bashkëjetojnë me njëri-tjetrin në të njëjtin ambient, referuar rasteve të agresionit dhe dhunës brenda një azili në kryeqytet. Përfaqësuesja e Shërbimit Social Shtetëror tha se problemet e të moshuarve ndiqen nga stafi, ndërsa një ekip multidisiplinar harton një plan që ndiqen nga institucioni për shërbime sipas nevojës së të moshuarve. /j.p/























