Ballina Ekonomi

Kuçi: Ekspertizë lituaneze për menaxhimin fondeve të BE-së

TIRANË, 26 nëntor /ATSH/ Drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR), Ardita Kuçi, priti në një takim pune drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Pagesave të Lituanisë (NMA), Fortunatas Dirgincius dhe zv.drejtorin e përgjithshëm, Tomas Orlickas.

Kuçi bëri të ditur se, takimi u fokusua në shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizës për identifikimin dhe parandalimin e risqeve, një komponent kyç për menaxhimin efektiv dhe të qëndrueshëm të fondeve të Bashkimit Evropian të dedikuara për sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural.

“Theksuam gjithashtu rëndësia e harmonizimit të praktikave të menaxhimit të fondeve me standardet më të mira të BE-së”, u shpreh ajo.

Në përfundim, palët nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi që synon zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta, përfshirë shkëmbimin e ekspertizës, organizimin e seminareve, trajnimeve dhe vizitave studimore.

Sipas saj, kjo marrëveshje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt rritjes së kapaciteteve institucionale dhe forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional për të siguruar administrimin efektiv të fondeve që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë.

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShfaqet dokumentari “Në besë të shqiptarëve”, nga Rudina Xhunga
Artikulli tjetërSHBA – Prokurorët heqin dorë nga çështjet kryesore penale kundër Trump