TIRANË, 25 nëntor /ATSH/ Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur sot që të shtyjë për një datë tjetër seancën paraprake ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi dhe 3 të pandehurit e tjerë, të akuzuar për aferën korruptive të dosjes së privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.
Shkak u bë kërkesa e të pandehurve dhe avokatëve mbrojtës për t’u njohur me aktet. Pas shtyrjes së seancës, avokati i Berishës, Genc Gjokutaj, tha se Gjykata e Strasburgut e ka konsideruar si prioritare çështjen e Berishës dhe pritet t’i drejtohet me pyetje shtetit shqiptar.
“Gjykata e Strasburgut pa shteruar ende gjykimin në Gjykatë Kushtetuese ka kaluar në fazën e debatit çështjen e zotit Berisha. E ka konsideruar çështje prioritare dhe i ka drejtuar pyetje shtetit shqiptar për procesin e parregullt ligjor. Janë të gjitha ankimet për detyrimin paraqitje, arrestin shtëpi, anti kushtetutshmërinë dhe pasojat që rrjedhim, ndërprerjen e aktivitetit si lider opozite dhe deputet. Të gjitha problematikat që i kemi paraqitur, Strasburgu ka ecur në një shpejtësi pa precedent. Ne do presim shkresa ka ardhur drejtuar shtetit shqiptar, do plotësohen pyetje dhe do merret vendim”- tha Gjokutaj.
Vendimi për kalimin ose jo për gjykim të dosjes së privatizimit të ish kompleksit ‘Partizani’ me të akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezin dhe 3 të tjerë, do të mbahet pas dy javësh, konkretisht 16 dhjetor ora 11:00.
Sali Berisha, aktualisht kryetar i Partisë Demokratike, akuzohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.
Dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, akuzohet për kryerjen e veprave “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
/a.f/























