Ballina Aktualitet

Zhupa: Asnjë shtesë në buxhetin për arsimin, 2830 nxënës kanë braktisur shkollat

zhupa ne kuvend
Deputetja e PD, Ina Zhupa, foto: Florian Abazaj

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Deputetja e opozitës, Ina Zhupa foli sot në Kuvend për buxhetin 2025, duke e cilësuar atë si propagandë të radhës.

Deputetja e opozitës theksoi se shifrat e investimeve në arsimin gjatë viteve të fundit janë me minus dhe asnjë fond shtesë nuk është parashikuar në buxhetin 2025.

“Si të flasësh për shifrat tuaja, kur realiteti i bën skanerin më të mirë se ku i shpërndani ju paratë. Si të flasësh për arsim, kur investimet janë zero për qind rritje në arsimin bazë dhe atë të mesëm, minus 11.9% në arsimin e lartë, minus 22.8% në kërkimin shkencor. Nëse doni të llogarisni te Fondet e Kërkimit Shkencor dhe rrogat tuaja, mund të thoni që është rritur, por buxhetin e keni ulur. Ju rroftë ligji i ri, po shifrat flasin, zero dhe minus. E nisa me arsimin se nuk mund ta shmangia nga ngjarja që ndodhi. 54% të shkollave nuk kanë internet. Në epokën e IT dhe dixhitalizmin nuk ka internet, 20 nxënës kanë 1 kompjuter dhe normalisht do dalim të fundit në Pisa. Investohet për orendi të zyrave tuaja, për të shtuar patronazhistët, këto nuk do sjellin rezultate në arsim”, tha ajo.

Sipas Zhupës, 73% e drejtorëve të shkollave të arsimit parauniversitar janë patronazhistë dhe nuk kanë dalë nga shkolla e drejtorëve apo provimet. “26% prej tyre kanë ndalë nga kjo shkollë, të tjerët paguhen për t’i bërë iso PS-së, për të qenë aty për çfarë të rrjepur dhe marrë nga fondet për nxënësit.

Portali “Mësues për Shqipërinë”, nga Berati në Kukës, Sarandë, të gjithë që fitojnë po nuk patën teserën e PS nuk u del vendi i punës. Mungesa e ngrohjes në shkolla është një tjetër problematikë. Në fshatra mbledhin para për të blerë dru, ndërkohë që nuk ka para ky buxhet që të sigurojë ngrohjen e shkollave e na tregoni përralla me dy-tre shkolla në mes të Tiranës, që nuk janë realiteti i Shqipërisë. Bëni një shkollë me 2.3 milionë euro, ndërsa në Evropë bëhet për 700 mijë euro. Viti shkollor 2022-2023 janë raportuar se kanë braktisur arsimin 2830 nxënës. E braktisin sepse ikin, shpopullohet vendi, s’kanë mundësi ekonomike sepse punojnë me prindërit, sepse ky shtet nuk kujdeset për ta”, theksoi Zhupa.

Deputetja në fund të fjalës së saj në Foltoren e Kuvendit, tha se buxheti 2025 është tërësisht elektoral dhe asnjë lekë nuk është i destinuar për arsimin.

“I mashtroni njerëzit duke sjellë këtu një buxhet të vjedhjes, një buxhet elektoral bashkë me premtimet e kryeministrit, se gjithmonë e gjen një sebep para zgjedhjeve. Në buxhet nuk ka asnjë lekë më shumë, por milionat janë për inceneratorët, Check Up-in, sterilizimin dhe zero për arsimin”, përfundoi Zhupa. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRAZIL – G20 mblidhet për të diskutuar luftërat, klimën dhe rikthimin e Trump
Artikulli tjetërAmbasadorja e re e Austrisë viziton UBT-në: Programet mësimore dhe kërkimi shkencor sipas modelit BOKU